Kur godet i forti i Mirditës
I forti është një etiketim që ka hyrë në gazetarinë shqiptare prej shumë kohësh. Disa thonë se është zhdukur si etiketim, por ja që nuk është e vërtetë. I forti u shfaq sërish dje në mediat e specializuara për kronikë.
Vrau dy persona. Kësaj here ishte i forti i Mirditës.
Augustin Mandrea ekzekutoi dy vëllezër në një lokal në dalje të Rrëshenit. Viktimat e tij ishin Eduard dhe Petrit Ndoka, 30 dhe 33 vjeç.
I forti 49 vjeçar i ka qëlluar vëllezërit pas një sherri të vjetër që ka pasur me ta.
Policia ka arrestuar të fortin pas ngjarjes. Ai akuzohet për ekzekutimin e Arben Ndoit në vitin 1998. Në vitin 2005 gjykata e liroi Mandrean, edhe pse e kishte dënuar më parë me 18 vite burg. Shkak për lirimin e tij ishte shtyrja e afateve të paraburgimit.
Prokuroria apeloi, por ai u largua nga vendi. Ende nuk dihet se pse ishte i lirë i forti i Mirditës, por diçka të bie në sy.
I forti ishte një etiketim që lindi për ata kriminelë që lindën dhe u rritën në një periudhë ku shteti ishte thuajse inekzistent, fillimisht në vitet e para të demokracisë dhe më pas në vitin e zi 1997. I forti nuk është si mafiozët dhe as nuk është një njeri me shumë para e biznese. Është zakonisht një trafikant i dhunshëm, një vrasës që bredh i lirë dhe terrorizon zona të tëra.
Fakti që ka të tillë, pavarësisht etiketimit banal të medias, të bën të mendohesh nja dy herë për sigurinë në vend.
Nuk e dimë çmendon Flamuri për ta? Apo janë shpikje e medias?