Seancë maratonë për imunitetin. Berisha: Ju e doni imunitetin se u ikën bamirësat e Topit
Kryeministri Sali Berisha e nisi fjalën e tij duke thënë se kjo seancë nuk duhet të jetë e mbushur me trillime. Më pas sulmoi deputetët e PS, duke thënë se e duan imunitetin për të ulur trarët e doganave për firmat e tyre. Ai deklaroi se me ikjen e Bamir Topit nga presidenca, kanë ikur mbrojtësit e deputetëve të PS. Një seancë maratonë e mbushur me propagandë. Berisha befason: Rama i bëri ndryshimet kushtetuese për ta zgjedhur presidentin vetë, unë e bëra për motive parimore
Socialistët kanë deklaruar se nuk do të votojnë në këtë seancë për heqjen e imunitetit. Demokratët thonë se do votojnë, duke ditur se do e çojnë drejt dështimit nismën për sa paku një vit.
Edhe pse nuk ka ende shenja kompromisi në sfond, pasi socialistët kërkojnë votimin e ndryshimeve kushtetuese bashkë me propozimet e tyre për reformë në drejtësi, seanca ka nisur me një numër të madh deputetësh që kanë depozituar emrin e tyre për të folur në këtë seancë. Natyrisht për të bërë propagandë.
Fillimisht ka folur deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, që ka thënë se kjo seancë është shterpë. Ai deklaroi se ka sërish një bast në fuqi për Berishën, që të pranojë dorëheqjen në rast se nuk merr statusin e kandidatit edhe pse është miratuar heqja e imunitetit.
Xhafaj tha se nuk është kusht i BE heqja e imunitetit, pasi nuk ishte kusht as në Rumani e Bullgari. Ai tha se heqja e imunitetit nuk ishte kusht i marrëveshjes së nëntorit.
Më pas e mori fjalën kryeministri Sali Berisha që tha se heqja e imunitetit ka qenë pjesë e marrëveshjes së nëntorit.
Më duhet tu lexoj këtu pikën tetë të planit të veprimit, integrale e marrëveshjes së nëntorit mes forcave politike. Është e rëndësishme të arrihen rezultate konkrete dhe të prekshme në luftën kundër korrupsionit. Kjo përfshin reformën e sistemit të imuniteteve, tha Berisha.
Është mirë që tu themi shqiptarëve se Brukseli çdo vit e më shumë thellon kërkesat ndaj vendeve që do shkojnë drejt atyre. Këtë e bën duke nxjerrë edhe mësimet nga anëtarësimi i vendeve.
Bullgarisë dhe Rumanisë nuk iu kërkua kjo gjë. Por këto vende nuk kanë fituar akoma hapësirën Shengen si vende të tjera të BE.
Mos ta shndërrojmë në seancë në seancë mashtrimesh, vijoi kryeministri, i cili edhe pse tha se nuk duhet kthyer në seancë mashtrimesh, sulmoi ashpër të gjithë deputetët e PS se bëjnë kontrabandë e korrupsion.
Berisha sulmoi personalisht deputetin Sajmir Tahiri, për të cilin tha se ka firmë ilaçesh dhe kërkon të bëjë kontrabandë.
Berisha tha se tani që iku Bamir Topi nga presidenca, deputetëve të PS u ka ikur një mbrojtës i korrupsionit në drejtësi.
Ju u ikin bamirësat e Topit. Topin e futët në thes. Prandaj të bëhemi të vërtetë sot, tha Berisha.
Zoti Xhafa, ju bllokoni sot për një qëllim, për të bllokuar statusin për të tretën herë dhe përcaktoni si kusht atë pushtet që shqiptarët nuk ua japin. Ju përcaktoni si kusht që ju të bllokoni shtetin ose të kapni krerët e institucioneve kushtetuese dhe këtë e bëni për qëllime më të papranueshme për shqiptarët, tha Berisha.
Kryeministri i befasoi të gjithë kur tha se Rama e ka bërë marrëveshjen e ndryshimeve kushtetuese që të zgjidhte ai presidentin, kurse Berisha i bëri këto ndryshime për hir të shmangies së krizave.
Kur hoqët 3/5 për presidentin, e bëtë se kryetari juaj mendonte se do ishte kryeministri i radhës. Kurse unë e bëra për ti hequr një nen krize Kushtetutës së vendit.
Kryetari ju çon nga disfata në disfatë. Por Sali Berisha nuk mund të bëhet lideri juaj. Unë nuk mund ta bëj lider Edi Ramën. Ai është një njeri që nuk di çfarë është fitorja.
Juve ju duhet mburoja e imunitetit për tu mbrojtur nga korrupsioni, tha Berisha.
