Kur ministret bëjnë paradë mode
Ato janë të gjitha të bukura, elegante, të veshura me shumë shije. Ministret e kohës së re nuk u ngjajnë aspak zyrtareve të administrative të vjetra, me kostumin serioz gri dhe fytyrat pa asnjë shprehje. Nga Greqia deri në Francë, anëtaret e reja të kabineteve qeveritare duken gjithnjë e më seksi, me një pamje të kuruar me shumë kujdes dhe veshje edhe ekstravagante, që tërheqin vëmendjen e publikut.
Seks-simbol në qeveri
Në Itali, Mara Karfanja, një ish-balerinë e shfaqjeve dhe seks-simbol i vendasve, shihet me shumë adhurim nga publiku. Veshjet e saj ekstravagante, tepër të shkurtra apo tepër pas trupit ia kanë lënë vendin kostumeve shik, ndërsa pamja sensuale ka mbetur e tillë për ministren e Shanseve të Barabarta. Ajo vetë pohon se kujdeset shumë për veten, por se nuk do të vlerësohet më vetëm për pamjen. "Mjaft më me gjykimin e femrave vetëm nga gjoksi", - deklaroi Karfanja në një intervistë dhënë në prag të publikimit të librit të saj, që shpjegon më së miri botën e femrave. Po kaq e hijshme sa balerina e dikurshme italiane është edhe ministrja franceze e Drejtësisë, Rachida Dati. E përfolur shpesh për një lidhje me shefin e saj, presidentin Nikolas Sarkozi, Dati shfaqet gjithnjë me pamjen e një çupëline të shkujdesur, me veshje të thjeshta pas trupit, flokë të stiluara në mënyrë të çrregullt dhe një buzëqeshje që nuk mungon kurrë. Prej 7 muajsh është shtatzënë, por ende nuk e ka bërë të ditur emrin e babait të fëmijës së saj, edhe pse kjo po shkakton shumë debate në Paris. Ndërkohë, Dati vazhdon "pasarelën" e saj, nga njëra mbledhje në tjetrën, veshur me shumë shije, edhe pse me shumë kilogramë më tepër.
Bukuroshja e samiteve
Më serioze duket shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, një zonjë e bukur dhe e hijshme, që gjithnjë bie në sy në fotot familjare gjatë samiteve botërore. Kostumet e saj janë serioze, por gjithnjë me shumë shije dhe ngjyrat që asaj i japin më shumë gjallëri: të kuqe, portokalli, e bardhë, bezhë dhe çokollatë. Bakojanis është fytyra e hijshme e qeverisë greke, që nuk ka asnjë ministre tjetër veç saj. Më shumë femra në postet ministrore ka kabineti spanjoll; tetë shefa dikasteresh janë gra dhe të gjitha sharmante. Në këtë kabinet, edhe Ministrinë e Mbrojtjes e drejton një grua, 32-vjeçarja Carme Charcon Piqueras, që para një muaji lindi fëmijën e saj të parë. Ajo nuk ka aspak pamjen e një shefeje të rreptë; përkundrazi, biondja simpatike është gjithnjë e qeshur, e veshur "casual" dhe shumë energjike. Ikona e grave të bukura mbetet kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko, që "sfilon" në takimet qeveritare dhe në parlament me veshjet e modës së fundit dhe modelin e saj shumë origjinal të flokëve të mbledhur gërshet.
Më të thjeshtat
E ndërsa në Europë ministret janë gjithnjë e më seksi, në Lindjen e Mesme ato janë më serioze, më të thjeshta dhe i kushtojnë më pak rëndësi pamjes perfekte. Tzipi Livni, shefja e diplomacisë izraelite, është shembull i një tjetër grupi ministresh, që shfaqen gjithnjë pa shumë tualet dhe me veshje serioze, mundësisht bardhë e zi. Këtu bën pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me pamjen e qetë në fytyrë dhe kostumet e këndshme, ku ndryshojnë vetëm ngjy-rat e xhaketave serioze.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)