Gjykata dobëson traditën e mosndëshkimit në Ballkan
Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi vendosi në fund të dhjetorit të mbyllë zyrat e saj në Kosovë dhe Kroaci, duke transferuar punën në gjykatat vendore, por duke lënë hapur zyrat në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH). Gjykata u formua në 1990, mes konflikteve në ish-Jugosllavi, në një kohë kur asnjë gjykatë vendore nuk kishte as kapacitetin apo vullnetin për të kryer ndjekje penale të efektshme të krimeve të kryera, tha Magdalena Spalinska, zëdhënëse kryesore e gjykatës. "Strategjia e përfundimit e gjykatës ka qenë një nxitës i rëndësishëm për forcimin e sistemeve gjyqësore kompetente kombëtare në ish-Jugosllavi dhe kjo fushë e punës së gjykatës mbetet një përparësi," tha Spalinska. Gjykata zbatoi shumë veprimtari për të ndihmuar gjykatat vendore në forcimin e aftësive të tyre për të trajtuar rastet e krimeve të luftës, duke përfshirë transferimin e njohurisë dhe materialeve në profesionistët ligjorë në rajon. "Deri në fund të mandatit të saj, gjykata do të vazhdojë të mbështesë gjykatat vendore, për të garantuar procesin e vazhdueshëm të krimeve të luftës në nivelin më të lartë, për të shkuar përtej përfundimit të mandatit të gjykatës. Gjykata i sheh gjykatat vendore si partnerë të saj në qëllimin tonë të përbashkët: luftën kundër mosndëshkimit," shtoi Spalinska. Betim Musliu, drejtor ekzekutiv në Institutin e Ligjeve të Kosovës tha se mbyllja e zyrave në Kosovë e Kroaci nuk do të thotë se lufta kundër krimeve të luftës do të pushojë. "Gjëja më e mirë rreth drejtësisë penale është se krimet e luftës nuk bëhen të vjetra. Kështu që do të ndiqen penalisht derisa të zgjidhen më në fund e përfundimisht," tha Musliu. Gjykata do të vazhdojë tu japë gjykatave vendore prova në mbështetje të ndjekjeve penale të vendit. "Mbyllja e zyrave do të thotë se juridiksionet vendore duhet të dërgojnë kërkesa për ndihmë te përfaqësuesit në Hagë, në vend të zyrave të ndërlidhjes," tha Spalinska. Në Kosovë, EULEX është ende i rëndësishëm në hetim, ndjekje penale dhe gjykim të rasteve të krimeve të luftës. Gjyqtarët e tij ndajnë podiumin me gjyqtarë vendore e prokurorë ndërkombëtarë po punojnë së bashku me prokurorë vendorë në hetimin e krimeve dhe paraqitjen e provave në gjyqe. EULEX tha se hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës është një përparësi për EULEX të Kosovës dhe një pjesë e rëndësishme e mandatit të tij ekzekutiv. "Rezultatet deri tani konfirmojnë këtë përparësi, por krimet e luftës janë disa nga rastet më të ndërlikuara e kanë një numër sfidash," tha Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it. "Përfshijnë, por nuk janë të kufizuara në, krimet e luftës të hetuara në Kosovë gjatë një dekade më parë," shtoi Krasniqi. "Të gjitha rastet kërkojnë ekspertizë të zgjeruar mjeko-ligjore e numrin i dëshmitarëve dhe provave është zakonisht më i madh se në raste të tjera". Prokurorët e EULEX po hetojnë tani 74 raste të krimeve të luftës. Gjyqtarët e EULEX-it, në panele të përziera, deri tani kanë dhënë 23 vendime në rastet e krimeve të luftës, ku 29 persona u gjetën faktorë dhe 15 persona u liruan nga akuzat e tyre. Musliu tha se zyrtarët e drejtësisë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe të forcojnë aftësitë e tyre në rastet e krimeve të luftës. Sipas Spalinska, puna e gjykatës së krimeve të luftës kontribuoi gjithashtu për të ndryshuar mendimin lidhur me përgjegjshmërinë në ish-Jugosllavi dhe dobësoi traditën e pandëshkueshmërisë që ka trazuar Ballkanin për një kohë të gjatë. "Të gjitha komunitetet janë dakord se kryerja e krimeve ndaj civilëve apo robërve të luftës është e pafalshme dhe duhet të ndëshkohet, nga cilido grup etnik apo sado lart në udhëheqje të jenë kryerësit. Kjo bindje thjesht nuk ishte përpara sesa [gjykata] të niste punën e saj," tha ajo. Spalinska shtoi se gjykatat kombëtare në Kroaci që trajtojnë rastet e krimeve të luftës do të vazhdojnë këtë punë. "Tani është gjerësisht e pranueshme se kroatët gjithashtu kryen krime gjatë konfliktit të armatosur dhe se ata individë duhet të mbajnë përgjegjësi," dhe në Kosovë "shqiptarët mësuan rreth shumë krimeve të kryera jo vetëm nga forcat serbe, por gjithashtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës". Roli i zyrave vendore në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, që do të vazhdojnë të funksionojnë, është i ngjashme me atë të zyrave të Kosovës dhe Kroacisë. Mandati i tyre është dypalësh; si ndërlidhje midis gjykatës dhe autoriteteve kombëtare lidhur me rastin dhe gjëra të tjera dhe vazhdon të lehtësojë kërkesat e ndihmës nga gjykatat vendore.
...