E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur për krizën kërkohet emër akademik

AGIM BAÇI

Ngritja e një grupi pune nga kreu i PS-së me juristë që për vite kanë drejtuar institucione të rëndësishme kushtetuese apo mendimin akademik në vend, ka ditë që ka zënë debatin kryesor të politikës dhe opinionit publik. Por, a janë vërtet të nevojshme ndryshimet kushtetuese për të cilat pretendohet nga ana e juristëve të mbledhur për këtë çështjeje? Pavarësisht se janë numëruar disa problematika që kanë të bëjnë me nevojën e rregullimeve kushtetuese, duket se ajo që tërheq më shumë vëmendjen në këto debate është çështja e zgjedhjes dhe kompetencave të Presidentit të Republikës, për të cilën kërkohen ndryshime. Mirëpo që në fillim të debatit kjo çështje e fut grupin e ekspertëve në një paragjykim të paevitueshëm: që po gjejnë alibi për nevojën që ka kreu i PS-së për të shkaktuar një krizë, ose thënë shkurt, nevojën për zgjedhje të parakohshme, ose së paku, një president që ta përzgjedhë opozita. Parë në këtë këndvështrim, prania e shumë emrave që kanë drejtuar institucione të rëndësishme, si Gjykatë Kushtetuese, Prokurori, apo mendimin akademik, të bën të ndjehesh disi i trishtuar lidhur me qëllimin e angazhimit akademik, pasi vënia në punë e këtij mekanizmi nisi pasi kreu socialist pranoi se kishte gabuar në ndryshimet që bashkëmiratoi me Berishën në vitin 2008. Pra, u pranua shqetësimi pasi e tha politika dhe jo profesionalizmi, çka vë në pikëpyetje integritetin profesional të tyre. Kështu, Fehmi Abdiu, si ish-kreu i Kushtetueses, nuk u shfaq aspak i shqetësuar për qeverisjen për muaj me radhë me zv.ministra as në kohën e Nanos e as tani së fundmi me qeverinë aktuale. Po kështu, nuk u prononcua kurrë më parë për ngecjen që ka pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë në funksionimin lidhur me Gjyqësorin, që nuk ka mundur ta rregullojë këtë sistem të kontestuar, si edhe me Konferencën Gjyqësore, që duket se nuk ka asnjë vlerë në funksionimin e këtij sistemi. Por, juristët si Jaho, Abdiu, Omari, Sollaku, apo të tjerë, kanë gjetur të shqetësohen lidhur me kompetencat e Presidentit, apo me ndonjë ndryshim tjetër, i cili lidhet ngushtësisht me interesat politike të opozitës, duke treguar se shqetësimet e tyre nuk kanë të bëjnë me funksionimin e Kushtetutës, por të nevojave politike të kreut të opozitës, i cili duket se ka mbetur pa shumë zgjidhje për të organizuar partinë e tij drejt ardhjes në pushtet. Kjo situatë, e krijuar nga humbjet politike të Ramës, i cili tentoi në ato ndryshime të krijonte një hapësirë të mjaftueshme për vetveten nëse fitonte zgjedhjet, tregon qartë se tashmë Rama nuk i beson më vullnetit të tij politik për ndryshime. Ndoshta edhe nga mungesa e shpresës përmes protestave, si dhe mungesa e një mekanizmi për dialog si brenda partisë së tij, ashtu edhe me mbarë forcat opozitare, të bën të mendosh se tashmë kreu socialist do të përdorë të vetmin mjet që i kërkohet: dialog dhe pjesëmarrje për votime të cilësuara në Kuvend, ku nevojitet edhe pjesëmarrja e deputetëve të partisë së tij.Këtë dyzim politik të kreut të opozitës e plotëson edhe debati paralel me çështjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi me LSI-në, i iniciuar pikërisht nga njerëz rreth tij. E duket jo rastësisht ky paralelizëm, pasi LSI ishte dikur kundërshtare e ndryshimeve kushtetuese. Ndaj dhe, duke e ofruar këtë pazar politik, Rama kërkon joshjen e LSI-së për ti siguruar një pjesëmarrje dhe bashkëqeverisje në zgjedhje. Por, një pazari të tillë duket se ka kohë që i ka paraprirë Kryeministri aktual, i cili edhe pse me numër të reduktuar deputetësh, pas ikjes së Priftit, nuk i ka kufizuar asnjë hapësirë pushteti LSI-së. Megjithatë, trishtimi i kreut aktual të opozitës, i zgjeruar këtë herë edhe me trishtimin për përdorimin e mjaft figurave që kanë pasur jo pak role publike gjatë viteve të fundit në Shqipëri, krijon një situatë të trishtë për shoqërinë, së cilës i nevojitet opozita si një garantuese dhe kontrolluese e qeverisjes e, për më tepër, i nevojiten njerëz me personalitet profesional, që nuk angazhohen pasi merren urdhra politikë, por shfaqin mendimin e tyre në çdo kohë. Duke pasur një opozitë pa orientim dhe që kërkon ndryshime të ligjit themeltar me qëllim krijimin e një krize politike dhe jo për funksionimin e demokracisë, ne humbim kështu jo vetëm angazhimin që duhet të ketë opozita në debatet e sotme, por edhe mundësinë e një drejtuesi të mirë politik për nesër. Është e vërtetë që e vetmja gjë e pandryshueshme në një kushtetutë mbetet ndryshueshmëria e saj. Por kjo duhet të jetë rrjedhë e shqetësimit për një funksionim më të mirë të demokracisë, dhe jo për krijim krize. Aq më tepër që kriza e sotme, sidomos në PS, nuk ka ardhur nga pjesëmarrja, por nga bojkoti. Këtë duhet ta kuptojnë më së miri juristët që i janë bashkangjitur versionit të Ramës për ndryshime, të cilët mund ti shpjegojnë atij të gjitha pasojat negative të mospjesëmarrjes në një shoqëri demokratike, e së pari, mungesën e respektit ndaj votës që iu është besuar për ta përfaqësuar e jo për ta bojkotuar. Ndaj Rama duhet të heqë të paktën dorë që krizën e tij politike të mos e justifikojë me emër akademik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›