Rekord i ri në Dhërmi
Rrëqethëse të kujtosh në këto ditë zagushie rezistencën palestineze të kryeministrit gjatë notimit të gjatë në Dhërmi. Ashtu si ngjitja befasuese e qindra shkallëve kohë më parë në Kinë, ky rekord i ri, kjo rezistencë, si një sfidë e përfundme fizike, provokon një vëmendje të re. Ky rekord i ri sjell në mendjen e njerëzve jo vetëm potencën e shefit të madh të shqiptarëve, por paralajmëron edhe kilovatët e shumtë që janë fshehur nën lëkurën e rrudhur, për tu përdorur në betejat e ardhshme. Talent i regjur i tranzicionit, me një përvojë që do ta kish zili edhe Buleri historik i Filipineve, shefi i ekzekutivit ja ka dalë vit pas viti, të trokasë në mendjet e kureshtarëve fitoret e paralajmëruara të së ardhmes. Në këtë mënyrë, edhe pse në një perëndim të përçartur, kryeministri sfidoi ligjet e kohës, duke vërtetuar sistematikisht edhe këtë verë, përmasën e përzotshme që ka. Në prag të pleqërisë dhe në prag të sfidave të ardhshme parlamentare, lajthitja e ligjeve të natyrës në trupin e kryeministrit, që duket më i ri pas çdo dite të vjetër pushteti, ka shpërthyer një habi në planet, brenda dhe jashtë: Ky njeri, sa më shumë mplaket, sa më shumë lajthit, aq më shumë të le gojëhapur me sfidat ujore e qiellore që bën.
Sado primitive alegoria, jetëgjatësia shqetësuese e kryeministrit, duke qenë e paralajmëruar në sundimin e tij, ka fituar njëherazi nuancat e një simboli Përse zë fill këtu një frymëzim simbolik? Sepse, i pushtuar nga një furi e pakuptueshme iluzionesh mes qartësisë të të tjerave, kryeministri ynë ja ka dalë të përcjellë mesazhin te besnikët e tij, dhe kamikazët e tij, por edhe tek të tjerët, se ai është sot më i fuqishëm se kurrë, hyjnor e i pavdekshëm, si askushi, si kurrkushi, i pathyeshëm, i pamposhtur, si një ciklop me fuqi olimpike, që nuk llogarit më asgjë
Prandaj sfidat e përsëritura fizike, duke krijuar një simbol pushteti që nuk rresht e nuk mbaron, i kanë sjellë atij rrebesh lavdi të re edhe në luftën e pandershme të krijimit të përshtypjeve, ku zakonisht, del fitimtar.
Zakonisht del fitimtar. Por nga ana tjetër, ai është një arenë mishi, nervash e kockash, ku përleshet egër lavdia me mëkatet. Në trupin e kryeministrit, përplaset pushteti i pamerituar me vrasjen e fshehtë të ndërgjegjes. Kjo është diçka e dallueshme për këdo. Pavarësisht simbolikës ujore dhe pavarësisht se është në një formë të shkëlqyer fizike, dëshpërimi njerëzor i liderit zë pusi që në kthesën e pare, çka do të thotë se ai ekziston Pasi ka kapur për fyti opozitën, pasi e ka fituar me të çdo bast e betejë, pasi është mbret e monark, vështirë të jetë i tillë edhe në betejën më ndërgjegjen e vet. Ndërgjegja është pjesë e njeriut, një kurth në jetën e tij. Edhe shenjt të ishte, edhe murg të ishte, edhe engjëll të ishte, kapoqeveritari ynë energjik do ta kish prapë se prapë të turbullt lëngun e moralit me gjithë sa kanë ndodhur e po ndodhin përditë në Shqipërinë blu të pushtetit të tij. Madje edhe Krishti vetë i ringjallur do të skuqej nëse në mbretërinë e tij të pas 97-ës do të ndodhnin Gërdecë të tillë, (me fazllicë të tillë nëpër këmbë), 21 janarë të tillë, vrasje të tilla makabre, vjedhje të tilla dhe sfida apo rrëmbime të tilla pushteti. Edhe sikur jo lëng i zi, por qumësht i sterilizuar të pikonte nga trupi i tij vjeshtor, kryeministri do ishte gjithmonë përballë vetëdijes së tij në një gjyq vetëdrejtësie, prej të cilit nuk mund ta shpëtojë askush: Memorja e këtij vendi nuk ka vend për fatkeqësi të tjera kombëtare si këto që kanë ndodhur në sundimin e tij, ku korrupsionin spektakolar shkëlqen si një brilant ironie, aq më shumë që këto fatkeqësi nuk mund të fshihen aq lehtë, si mund të fshihen me sfungjer njollat në xham..
Por a fshihet vërtet dëshpërimi pas kthesës së parë të sundimit të tij? A ka çaste meditimi e përshpirtje ky kryeministri ynë? Kush mund ta thotë. A ka vrasje ndërgjegje ky pushtetar për jetët shqiptare të humbura pa të drejtë, kohë pas kohe, gjëmë pas gjëme, në kohën e tij? Kush mund ta thotë. Ajo që mund të thuhet është se dëshpërimi, sido që të jetë, nuk mund ta frenojë këtë pushtetar jetëgjatë të sfidojë gjithçka në çdo kohë. Sërish do të ketë një sfidë e re mbi të tjerat, mbi vrasjet radhë të ndërgjegjes. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Kryesfida e re spektakolare e shefit të madh qëndron jo më në simbolin e përjetësisë së pushtetit, që ai ka krijuar, jo më në rekordet e notit, që do të harrohen sakaq, por pikërisht në faktin se ai nuk udhëhiqet nga arsyeja e tij: se ashtu si pushtetin, ashtu si kundërshtitë, ashtu si servilat, edhe arsyen e tij ai e ka nën kontroll.
***
Ndjesitë popullore janë si plazmimet ujore që trazohen kollajnga energjitë e liderëve, sidoqofshin ato. Ky është një përfundim instiktiv të cilin kryeministri ynë mbase e ka kuptuar rastësisht nëpër betejat e gjata dhe përvojat e gjata elektorale. Falë kësaj përvoje, ai është kthyer në një mjeshtër të imponimit krejt rastësisht, ashtu si rastësisht ka sfiduar rezistencën skeptike të njerëzve, duke i manipuluar ato në atë shkallë, saqë, duke sunduar, ja ka dalë të rrëmbejë aurorën e lavdisë nga duart të tjerëve, që mbase e kanë merituar patjetër, më shumë se ai, kohë pas kohe.
Edhe pse nuk ka inteligjencë të lartë, finesë të lartë dhe sjellje lideri, edhe pse nuk është Krisht dhe as ndonjë engjëll me flokë kaçurrela, ka një sekret për fitoret e tij dhe ky sekret lidhet me faktin se ky njeri udhëhiqet nga kurrfarë gjëje tjetër perveç se nga një instikt i pamposhtur pushteti, që rrallëkush apo askush tjetër se ka!
Çështë njeriu? Pasojë e një shkëmbimi të pashpjegueshëm energjie që ndodh brenda tij. Njeriu është një ekuilibër i vështirë mes tre parametrave në radhë, që janë: organizmi, truri dhe nëndija, (pavetedija, instiktet apo pasuria historike e trashëguar, përfaqësimi fisnor, pjesë e shpirtit).Truri sështë veç një vegël, një mjet që nënqënia përdor dinakërisht sipas logjikës dhe pushtetit të instikteve. Instiktet janë yndyra e mbledhur nga tundja shekullore e shpirtrave. Nënqënia jonë është si një hije dinake plot djallëzi që sundon çdo qelizë tonën dhe çdo funksionim. Pikërisht ajo na drejton. Ajo edhe frika. Frika nuk është e jona, por e nënqënies që shtrihet nëpër damarë dhe urdhëron trurin tonë të analizojë intelektualisht ose të ngjallë panik. E veçanta me kryeministrin është se fuqia djallëzore e nënqënies, që shtrihet nëpër damarët e tij ka vetëm një drejtim, është një forcë rezultante dhe kjo është jo frika universale e njeriut të zakonshëm. Kjo forcë është tmerri që prodhon papushim nëndija e tij nga mosqënia gati për të jetuar pa pushtet. Ky tmerr dhe kjo mos qenie gati i ka zhvilluar atij fort atë instiktin e rrallë, brilant dhe të pamposhtur të pushtetit, që sistemon dhe motivon jetën e tij.
