E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Ballkani plot me talente

Rudi Vata, agjenti shqiptar i FIFA-s, i specializuar në tregun futbollistik të Evropës Lindore, është shndërruar në një pikë referimi për merkaton e futbollit skocez. Gazeta më e rëndësishme në Skoci, “Daily Mail”, i ka kushtuar një vëmendje të posaçme tregut të talenteve të rinj nga Ballkani, duke pasur si pikë referimi opinionin e dhënë nga ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare. Ish-qendërmbrojtësi i Parkhead në Skoci, aty ku banon dhe drejtuesi i “Vata Vision Football Management”, përveçse tregon eksperiencën e tij, jep edhe disa detaje në lidhje me vlerat e lojtarëve nga vendet ish-komuniste.
Me rusët tashmë në klube të pasura, vëmendja skoceze është e kthyer nga lojtarët rumunë e kroatë. “Nëse Sëlltiku me të vërtetë dëshiron të hyjë në Evropën Lindore të mbushur me talente”, - thotë ish-mbrojtësi i Parkhead, Rudi Vata për “Daily Mail”, - ka vetëm një zgjidhje”. Menaxheri i njohur shqiptar thotë se në vendet lindore ndodhen shumë të rinj me talent të mirëfilltë dhe që janë prodhuar jashtë syve të rajoneve ku kërkojnë klubet e mëdha. Vata këmbëngul, megjithatë, se të gjesh yje për të ardhmen përpara se ata të bëhen superyje në shuma që shkojnë deri në 8 milionë sterlina, kërkon bashkërisht kohë dhe përpjekje. Duke reaguar në lidhje me lajmin për ofertën prej 3 milionë sterlinash për futbollistin Gabriel Tamas të Okserit, Vata thotë për “Sportsmail”: “Unë u kam thënë tek Sëlltiku: “Hajdeni me mua në Mal të Zi dhe në vendet ku me të vërtetë prodhohen lojtarë të mirë. Ju mund të shkoni në të gjithë këto klube dhe do të gjeni të rinj të talentuar. Nëse do t’i lini për një kohë të gjatë, atëherë ju do të shkoni në klubet e mëdhenj në Beograd, Zagreb apo kudo tjetër, ku çmimi i tyre gjithmonë rritet. Është e njëjta gjë me rusët e rumunët. Kur këta lojtarë bëhen të mëdhenj, atëherë ata do të kenë gjithmonë cilësinë të shkojnë në liga më të mëdha se ajo skoceze. Dhe sikur ata do të dëshirojnë të vijnë, do të jenë shumë të kushtueshëm”. Kreu i agjencisë më të madhe shqiptare të transferimeve, “Vata Vision Football Management”, shton: “Nëse ju do të shkoni tek ata, pikërisht në kohën kur dhe kanë filluar, atëherë do të kushtojnë më lirë dhe do të jetë më e lehtë për të nënshkruar. Nëse do të shkoni tek Partizani i Beogradit, Spartaku i Moskës apo Dinamoja e Zagrebit, atëherë ju do të flisni për tre-katër milionë euro, vetëm për t’i nxjerrë ata nga dera”. “Shikoni Dinamon e Zagrebit! - jep një shembull Vata. - Sëlltiku kërkonte Ognjen Vukojeviçin nga Dinamoja, por ai shkoi te Kievi për 6 milionë sterlina. Aktualisht Dinamoja ka arritur të fitojë 58 milionë sterlina vetëm duke shitur lojtarët. Kjo, sepse ata i kanë marrë lojtarët më të mirë të rinj shumë shpejt dhe i kanë bërë detyrat e shtëpisë”, tha Vata, tashmë një agjent i FIFA-s, i specializuar në tregun e Evropës Lindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›