Kur qeveria ti imponon skandalet e saj si normalitet jetese
Është i njohur tashmë fakti se qeverinë Berisha e kanë ndjekur skandale të njëpasnjëshme që datojnë nga marsi i vitit 2008 e në vazhdim. Skandale që përfshijnë anë të krimit dhe korrupsionit, vjedhjes dhe zhvatjes, kërcënimit dhe presionit, klientelizmit dhe nepotizmit. Janë kaq të shumta, të thëna e të stërthëna, nga gazetarë e analistë, komentatorë dhe opinionistë, përfshi edhe ata që u jepet mundësia të lënë mendimet e tyre në forumet online të websit-eve shqiptare, saqë po ti përsëritja edhe unë, do më duhet të ripërsërisja të tjerët. Një skandal dje, për çudi, duket shumë i vjetër sot dhe një skandal i ri sot, po aq i vjetër nesër. Skandale që ndjekin njëra-tjerën si në lojën me stafetë dhe që po njëra-tjetrën sfumojnë për nga niveli i përmasave.
Shumëllojshmëria e skandaleve bën që nuk di nga ta kapësh fillin e nga tia nisësh, nga koka apo nga bishti, sepse herë njëri e herë tjetri ia lënë rradhën sho-shoqit. Nën vështrimet serbes, nga votuesi i thjeshtë deri tek prokurori, stafetmbajtësi skandal shpreson të dalë kampion në këtë garë të pambarimtë me kohën duke garuar me rivalin e tij, po skandal, e, sidoqë të dalë rezultati, fiton koka apo bishti, dihet që kampioni do ketë vetëm një emër skandal!
Përditshmëria e gjithsecilit prej nesh po përmbytet nga këto skandale. Si të tilla, ato po bëjnë efektin e kundërt, nuk po i ndërgjegjësojnë, por po i imunizojnë njerëzit. Çdokush e di që, sapo të shfletojë shtypin e ditës së nesërme, do përballet me një skandal të ri. Jetesa me skandale po i kthen njerëzit në indiferentë, krimin dhe vjedhjen shtetërore, në mënyrë bashkëjetese, duke humbur përfundimisht nocioni Ndershmëri në Qeverisje. Duar të pastra që kurrë nuk u bënë të tilla, por të përlyera me gjakun dhe djersën e popullit të thjeshtë, po majmin një kastë grabitqarësh që nuk paskan që nuk paskan të ngopur.
Dhe jeta vazhdon me këtë realitet. Teksa bisedoj me miqtë e mi, më ndodh që të ndaj me ta mendime që e marrin shtysën nga ato që shkruhen në media. Njëri prej tyre shprehet se, sa herë që shkruhet një artikull, mendoj që shumë pak do të ndryshojë. Mirëpo, është prapë shumë e rëndësishme që të shkruajmë. Sepse, ti themi gjërat, është gjithnjë më mirë sesa të mos i themi. Eh – i them unë, ke të drejtë. Heshtja, jo gjithë është flori, siç thotë populli. Në kohën që jetojmë, heshtja duhet konsideruar tradhëti, kombëtare biles! Kjo nuk duhet ngatërruar me ato tradhëtitë e qëmotshme ku të ngrije zërin kundra qeverisë përfundoje në litar si tradhëtar, por e kam fjalën, bie fjala, edhe për ato tradhëtitë e tipit të faljes së territoreve ujore, që falë ngritjes së zërit shpëtuan nga një 1913-të e dytë, por kësaj here, me bekimin e pushtet-mbajtësve tanë. Desha sdesha, e përmenda edhe unë një nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverie!
Në realitetin shqiptar, ajo që ka ndodhur duket mëse normale, për një shoqëri anormale më thotë një tjetër mik. Mëse njëherë i jap të drejtë e po kaq herë e rrëzoj këtë tezë. Një shoqëri që ishte kaq e zonja të përmbyste një tirani komuniste dhe po një tjetër demo-komuniste, po bashkëjeton në kohët e sotme të IT-së më të avancuar, me këtë primitivizëm të shekullit të kaluar?! Ta ketë fajin shoqëria që nuk paska sy të shikojë, vesh të dëgjojë dhe gojë të flasë?! E para ishte fjala thuhet në Bibël. Ajo duhet thënë kudo e kurdoherë, me zë të lartë deri në ulërimë edhe për ata që u mungojë ato tri shqisa apo që me vetëdije nuk duan ti kenë funksionale. Ndërgjegjësimi i plotë qytetar, sado të vonojë, do i vijë momenti që të reagojë ashtu siç ka ditur të bëjë me çdo diktator të rradhës. Mendimi qeveritar se, thika ende nuk u ka shkur deri në palcë, është një provokim me durimin e gjithsecilit prej nesh që çon pastaj në ato të ashtuquajturat, revolucione të portokallinjta, të kadifejta, apo edhe arabe po të doni quajini.
Por, ka edhe pesimistë në këto bashkëbisedimet e mia ku një tjetër mik që e lexon rregullisht gazetën TemA më thotë : Rubrika Antena brenda familjes më tërheq më shumë se analizat e situatave skandaloze që ndodhin në Shqipëri, situata të cilat tashmë janë rutinë dhe ambientimi me to është një skandal më vete… Antena është sarkastike, ka një përshkrim aq të detajuar, plot ngjyra dhe kurajo, sa të lë pa fjalë. Është e vërtetë i dashur mik kjo që thua, sepse për shumë si ti, ndoshta stresi dhe zhgënjimi që sjellin këto skandale, largohen vetëm me sarkazma që ndjellin buzëqeshje dhe që mund të japin ndopak çelje në fytyrat e brengosura që i ndesh në realitetn e përditshëm shqiptar.
Por, a do mundim dot vallë që vetëm me artikuj seriozë dhe sarkastik të rikthejmë në piedestalin e kombit tonë vlerat e harruara që njëpasnjëshmëria e skandaleve qeveritare na i ka humbur si virtyte duke na i tjetërsuar në vese? Kam frikë se jo, sepse po jetojmë në epokën e skandaleve të cilat, për fatin tonë të keq, duhet ta panojmë se qeveria me sukses të plotë po na i imponon si normalitet jetese. Deri kur të vijmë tek momenti që ta çbëjmë këtë lloj realiteti, atëherë do më duhet ti rikthehem shprehjes së mikut të dytë duke ia transformuar pakëz kuptimin në realitetin shqiptar, ajo që po ndodh duket mëse normale, për një shoqëri normale!
