Nobelisti Vargas Llosa: Megjithë krizën e besimit, Kisha katolike vazhdon të mbetet më luftarakja e institucioneve fetare
Dita botërore e Rinisë që u mbajt në Madrid ka qenë një sukses i madh që tregon e dëshmon gjallërinë e Kishës, e nëse është e vërtetë që numri i fetarëve dhe i besimtarëve në botë zvogëlohet, në të njëjtën kohë, ata që mbesin katolikë, tregojnë se Kisha e sotme assesi nuk ka mbaruar, madje është më luftarake se në vitet kur grindej për shkaqe të betejave ideologjike të brendshme. Kështu pohoi dje në të përditshme e Vatikanit l’Osservatore Romano shkrimtari i çmimit Nobel me prejardhje peruane, Mario Vargas Llosa, duke komentuar takimin e madh të rinisë botërore që u mbajt javëve të kaluara në kryeqytetin spanjoll.
Vargas Llosa kujton stuhitë që sot e përshkojnë Kishën: “Një prej këtyre stuhive – nënvizon ai – ka si skenar Spanjën, ku Roma e Qeveria e Rodriguez Zapateros janë ndeshur shpesh viteve të fundit e kanë marrëdhënie të tensionuara. Nuk është e rastit që Benedikti XVI e ka vizituar këtë Vend disa herë, tri prej tyre gjatë papnisë së tij. Sepse siç duhet ‘Spanja katolike’ nuk është më e tillë siç ishte në të kaluarën”. “Statistikat – shton shkrimtari peruan – janë mjaft të qarta. Në korrikun e vitit të kaluar afër 80% e spanjollëve janë deklaruar katolikë; një vit më pas, vetëm 70 %. Ndër të rinj pesëdhjetenjë për qind thonë se janë besimtarë katolikë, por vetëm dymbëdhjetë sigurojnë se e praktikojnë fenë e vet në mënyrë konstante ndërsa pjesa tjetër e praktikon herë pas here ose për arsye shoqërore (në raste të martesave, të pagëzimeve e kështu me radhë). Kritikat e besimtarëve të rinj – praktikantë e jo – ndaj Kishës përqendrohen kryesisht e sidomos mbi kundërshtimin e saj (të Kishës) ndaj përdorimit të kontraceptivëve e ilaçeve tjera kundër shtatzënisë, pastaj kundërshtimin e Kishës ndaj shugurimit meshtarak të grave, kundërshtimin e abortit, të homosekualitetit”. “Përshtypja ime – shpjegon Vargas Llosa – është që këto shifra që nuk janë manipuluar, por që pasqyrojnë një realitet që – me përqindje më të lartë apo më të ultë – shkon përtej realitetit të mjedisit spanjollë dhe është tregues i asaj që po i ndodhë katolicizmit në botës.
E kështu, nga pikëpamja e zvogëlimit gradual të numrit të besimtarëve të Kishës katolike, në vend që ky fakt të jetë një simptomë e shkatërrimit të saj të pashmangshëm e kështu të zhdukjes, përkundrazi është tharmë i gjallërimit dhe i energjisë të asaj që mbetët nga ajo (Kisha katolike) – do të thotë me dhjetëra e dhjetëra miliona njerëz – siç është dëshmuar, sidomos gjatë papnisë së Gjon Palit II e Benediktit XVI”. “Është vështirë – lexohet në komentin e shkrimtarit Vargas Llosa – të imagjinosh personalitetet tjera të ndryshme nga ato të dy Papëve të fundit që gëzojnë autoritet. I pari, Gjon Pali II qe një lider karizmatik, një agjitator i turmave, një orator i jashtëzakonshëm, një Papë në të cilin emocioni, pasioni, ndjenjat mbizotëronin mbi arsyen e pastër”. “Ai aktual, Benedikti XVI – vijon shkrimi i botuar në l’Osservarore Romano – është njeri i ideve, një intelektual, fushat e natyrshme të të cilit janë bibliotekat, klasat universitare, sallat e konferencave. Druajtjet e tij para turmave të mëdha të besimtarëve shfaqen pashmangshëm në mënyrën me të cilët u drejtohet turmave, gati si për t’u justifikuar, thua se i vjen turp. Mirëpo kjo brishtësi është mashtruese sepse bëhet fjalë për Papën më të ngritur, më të ditur e inteligjent që Kisha ka pasur që prej shumë kohëve, njëri ndër Papët e rrallë enciklikat dhe librat e të cilit mund të lexohen edhe nga një agnostik siç jam unë pa u mërzitur e pa të zënë gjumi (autobiografia e tij e shkurtë të kënaq dhe dy vëllimet e tij mbi Jezusin janë shumë më tepër se magjepse). Udhërrëfimi apo rrugëkalimi i tij është mjaft kureshtar. Në rini ka qenë mbështetës i modernizimit të Kishës, e për çka i ka dhënë një kontribut shpirtit e frymës reformuese të koncilit të II të Vatikanit mbledhur nga Papa Gjoni XXIII”. “Mirëpo pastaj – shton Vargas Llosa – Benedikti XVI ka lëvizur drejt pozicioneve konservatore të Gjon Palit II, ndaj të cilave ka mbetur besnik deri më sot. Ndoshta motivi ka qenë intuita, apo bindja, që, sikur të kishte vijuar të bënte lëshimet që kërkonin besimtarët, barinjtë e teologët progresistë, Kisha do të kishte përfunduar me shpërbërjen dhe shkatërrimin nga brenda, e do të ishte bërë një bashkësi kaotike, e çorientuar, për shkakun e betejave të brendshme e të diskutimeve sektare”. “Ëndrra e katolikëve progresistë për ta bërë Kishën një institucion demokratik është pikërisht kjo, e asgjë më shumë: një ëndërr. Asnjë Kishë nuk mund të jetë e tillë pa hequr dorë nga vetvetja e pa u zhdukur. Sidoqoftë, pavarësisht nga konteksti teologjik, duke pasur parasysh vetëm përmasën e saj shoqërore e politike, e vërteta është që, megjithëse është duke humbur besimtarët dhe rreshtat e saj janë duke u reduktuar, sot për sot katolicizmi është më i bashkuar, aktiv e luftarak në krahasim me vitet ku dukej se kishte arritur deri te përçarja e ndarja për luftimet e brendshme ideologjike”.