E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur stresi na bën mirë

Të gjithë e cilësojnë si "bisha e zezë", armiku që nuk mund të luftohet, sepse është i paparashikueshëm, paradoksal dhe shkaku i qindra sëmundjeve. Megjithatë, tani shkencëtarët kanë zbuluar se stresi është një përgjigje e domosdoshme dhe ka plot anë pozitive ndaj kërcënimeve të përditshme. Me pak fjalë, është çelësi i vërtetë i suksesit të evolucionit të njeriut. Është i keq dhe i mirë njëkohësisht. Dihet që stresi ndikon në të gjitha pjesët e trupit. Kur ju keni stres kronik, trupi prodhon shumë kortizol dhe insulinë. Kështu që ju shtohet oreksi, djersët dhe rrahja e zemrës, që manifestohet veçanërisht në marrjen e ushqimeve të ëmbla. Kjo bën që t‘ju depozitohen shumë yndyra, të cilat ndikojnë negativisht në të gjitha organet, e sidomos në mëlçi, duke krijuar rezistencë ndaj insulinës, që e detyron pankreasin tuaj të sekretojë më shumë insulinë për të bërë kompensimin, duke ju bërë të ndiheni të uritur dhe duke e justifikuar këtë të fundit me stresin e përditshëm. Kur ju përpiqeni që ta luftoni stresin me anë të ushqimit, ju aktivizoni qendrën kryesore në tru. Pas ndjesisë së mirë fillestare që ofron, do të vazhdoni kërkimin e së njëjtës gjë, që më parë ju bëri të ndiheshit mirë, të qetë e të relaksuar. Shumë stres përkthehet më shumë ushqim. Stresi dhe ankthi janë shumë të vështirë nga ana neurokimike që ta kontrollojnë ushqimin. Por, një gjë është e sigurt, rëndësi thelbësore ka mendja, e cila është udhëheqësja e gjithë pjesëve të trupit. Është pikërisht ajo që e bën një qelizë të stresuar të trupit më të fortë, më rezistente dhe më të përgatitur dhe në të kundërt ajo që shumë herë na vret nga sëmundje të ndryshme, mbi të gjitha ato kardiovaskulare. Tashmë provat nuk mungojnë dhe na ndihmojnë të shpjegojmë fenomene fiziologjike dhe patologjike që deri pak kohë më parë kanë qenë vërtet misterioze. Në thelb, gjithçka për çfarë po flasim ka të bëjë me masën: vetëm një "sasi" shumë e madhe stresi mund të na shtonte dëmet në organizëm. Në të kundërt, një sasi e vogël është motori i vetë jetës. Për këtë, është krejtësisht i bindur profesori i toksikologjisë në "School of Public Health" në Universitetin e Masaçusetsit, autor i më shumë se 600 artikujve shkencorë dhe 20 librave, Eduart Kalabreze, të cilit i janë dashur vite të tëra karrierë për të studiuar paradoksin e stresit. Ja se çfarë tregon ai.

Profesor Kalabreze, na e shpjegoni pak paradoksin e stresit?

Për ta përmbledhur shkurtazi, mund të themi se shumë substanca shkaktojnë në organizëm dy përgjigje të njëkohshme, që ne i quajmë "ormisa": domethënë që një dozë e lartë stresi shkakton dëme shumë të mëdha në organizëm, ndërsa ndaj dozave të vogla mund të shihen efekte pozitive. Mjekësia klasike thotë se normalisht një substancë e marrë në doza të vogla, qoftë kjo edhe helm, nuk ka asnjë efekt negativ. Ne e mbështesim këtë ide. Pasojat janë shumë të rëndësishme, sepse ajo që ndodh kur trupi hyn në kontakt me doza të vogla të një elementi të padëmshëm, është vetë thelbi i mbijetesës sonë, ose përgjigjja që e lejon organizmin të jetë i gatshëm atëherë kur duhet për të përballuar goditje më të rënda, për të fituar pjesën më të madhe të betejave të përditshme.

Mund të na jepnin ndonjë shembull të një reagimi të tillë?

Le të marrim si shembull rrezatimet. Të gjithë i dimë dëmet që shkaktohen: megjithatë në doza të vogla ndihmojnë në rritjen e bimëve dhe kafshëve. I njëjti arsyetim vlen edhe për helmet, si për shembull, arseniku, i domosdoshëm në doza shumë të vogla, në patologji të ndryshme, ose Ddt, që provokon efekte të dëmshme, mes të cilave edhe kancerin në mëlçi, por që në sasi shumë të vogla mund të ulë edhe rrezikun. Ose e kundërta ndodh për vitaminat A dhe B6, për selenin, zinkun, hekurin: në doza të larta janë vdekjeprurëse, por në sasi të vogla janë të domosdoshme për jetën. Lista është shumë e gjatë, sepse sa më shumë i studiojmë, aq më shumë e kuptojmë se sa shumë substanca sillen në këtë lloj mënyre.

Në çfarë mënyre një substancë toksike mund të ketë efekte pozitive?

Gjithçka rrotullohet rreth stresit, i cilësuar si faktori kryesor i shqetësimeve të ekuilibrave tanë dhe ndaj asaj që organizmi bën për të reaguar dhe për t‘u përgatitur ndaj situatave të tjera të ngjashme. Sa herë që organizmi bie në kontakt me një element toksik, ose ndonjë substancë të ndonjë natyre tjetër,

trupi aktivizon sistemin imunitar, i cili jo vetëm që vë në veprim mbrojtjet specifike, por fuqizon edhe ato të përgjithshmet dhe arrin të ketë në dispozicion gjithë mjetet e nevojshme për të riparuar dëmet. Me pak fjalë, stresi në sasi të vogla bën që në organizëm të zhvillohen reaksione komplekse, të cilat e ndihmojnë atë të mbrohet dhe forcohet.

Pra ju po thoni që stresi është një ilaç i ri?

Sigurisht që stresi i tepërt apo kronik nuk i bën aspak mirë shëndetit, përkundrazi. Për më tepër dyshohet akoma se stresi në sasi të moderuar është një nga elementët që e ndihmon trupin të mbrohet. Por sot, më në fund, po nisim të kuptojmë se si ta shfrytëzojmë më së miri.

Ilaçet "paradoksale"

Kujtesa

Ilaçet e përdorura për të përmirësuar kujtesën dhe ngadalësuar progresin e demencave të pleqërisë është provuar se kanë efekte vetëm në baza të vogla, pasi përqendrimet e sasive të mëdha janë helmuese

Iktusi

30 nga ilaçet e studiuara për të shmangur dëmet e iktusit kanë sjellje të dyfishtë: në doza të ulëta ndihmojnë në rigjenerimin e indeve të buta, në doza të tjera janë toksike

Flokët

Minoxidil, ilaçi i përdorur nga miliona njerëz për të stimuluar rritjen e flokëve, në doza të vogla jep efekte më të mira se sa në doza të larta

Kolesteroli

Ilaçet e përdorura nga miliona njerëz për të ulur kolesterolin në gjak në sasi të mëdha kanë efekt bllokues në formacionin e enëve të gjakut, fakt që shpjegon se përse ato mund të luajnë një veprim antitumoral



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›