E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja e një regjisori

Dialogimi i tij me botën ka kaluar çdo herë përmes ekranit të kinemasë. Vetë ka zgjedhur heshtjen. As vitet nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e Dhimitër Anagnostit. Është "armik" i protagonizmit. Fjala e thënë për të është e fundit, e ndoshta për këtë nuk pranon të shpjegojë filmat apo karakteret që ndërton. Nuk ka qenë i pranishëm as mbrëmjen e së premtes, kur në Amfiteatrin e Durrësit, nga Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit i është dhënë Çmimi i Karrierës. Ndonëse në seksionin e retrospektivës është shfaqur vetëm filmi i tij i fundit "Gjoleka, djali i Abazit". I vetmi film që Anagnosti ka realizuar pas viteve ‘90. Edhe në këtë rast regjisori nuk preferoi të ndalojë në të tashmen. Të paktën jo drejtpërdrejt. Përmes tablosë së familjes shqiptare në një fshat të vitit ‘30, kineasti pranon se jehona e patriarkalizmit nuk është shuar sot. Shmangia nga aktualiteti ishte një filozofi që ia mësoi dhunshëm koha e diktaturës. Ishte i vetëdijshëm se atëkohë kinemaja shërbente si propagandë për masat dhe ai si regjisor do të ecte në binarët e realizmit socialist. "Tematika e aktualitetit ishte ajo që të ekspozonte tepër, të bënte të bije në koniunktura, kështu unë vendosa të merrem me temën e luftës dhe të ato të para luftës", do të pohonte ai. I përkiste atij brezi kineastësh që u formuan profesionalisht në shkollat çeke. U diplomua për kinooperator në institutin VGIK të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri dhe punës në kinostudio, i duhet të gjente rrugët për të mbrojtur individualizmin, në një kohë kur ai vetë e cilëson artin partiak. Kërkoi t‘u jepte tjetër imazh heronjve të tij kryesorë, të cilët edhe sot mbeten të skalitur në kujtesën e publikut, ndërsa batutat që ai vetë ka shkruar në skenarët e tij, i dëgjon edhe sot andej-këndej. "Komisari i Dritës", realizuar në bashkëpunim me Viktor Gjikën, shënon të parin film të tij si regjisor. "Duel i heshtur", "Malet me blerim mbuluar", "Cuca e maleve", "Lulëkuqe mbi mure", "Përrallë nga e kaluara", "Kthimi i ushtrisë së vdekur" e të tjerë, janë filma të tij, që pavarësisht ideologjisë imponuese të kohës, vazhdojnë të pëlqehen edhe sot. Kjo i jep garancinë se ka komunikuar me publikun, ka arritur të cekë botën e tyre. Ndryshe nga sa mendonte i ati, një njeri që e kishte shëtitur herët botën, që kishte zhvilluar biznesin e anijeve, Dhimitër Anagnosti i përkiste artit. E shënoi emrin e tij në historinë e kinematografisë shqiptare. E ka theksuar herë pas here se pasioni i tij i parë është të shkruarit. Përmes letërsisë ka arritur te kinematografia. Ishte adoleshent, ende në gjimnaz, kur me kapriçiot e moshës e kthente në një sfidë të shkruarin. Pjesën më të madhe, për të mos thënë të gjithë skenarët e filmave të tij, i ka shkruar vetë. Disa ua ka "huajtur" edhe kolegëve. "Unë realizoj një film për të ekranizuar një skenar dhe nuk bëj një skenar për hir të filmit", pohon i bindur edhe në këto vite të vona të karrierës. "Pasioni im për letërsi ka qenë i pari, pastaj vjen kinematografia. Ajo erdhi si rezultat i artit shumë të frekuentuar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Magjia e filmit është tërheqës, kështu që unë vura në shërbim të kinematografisë aftësinë time për të shkruar skenarë". Kështu shprehet ai që u ka dhënë jetë karaktereve, të cilat tashmë janë të tipizuar si shqiptarë. Jeta e një regjisori është komplekse. Po ashtu dëshirat, emocionet, frikërat, arritjet, pengjet... Këto nuk i rrëfen dot ekrani i madh. I takojnë atij vetë. Pjesa e panjohur e një regjisori i takon sheshxhirimit. Në këtë rast e tradhtojnë kujtimet e kolegëve. Ata që kur u vjen rasti të mblidhen së bashku (i tillë qe 70-vjetori i Anagnostit) nuk harrojnë t‘ia kujtojnë epitetin e pagëzimit: "i rreptë". "Unë nuk jam as i egër, as nevrik. Jam racional dhe përpiqem të jem edhe profesionist në atë që dua të bëj. Meqenëse arti i filmit është kolektiv, të jesh regjisor është njësoj si të drejtosh një orkestër. Asnjë instrument nuk mund të luajë në qejf të vet", thotë ai. Pas ‘90-ës nuk ka qenë një regjisor i shesheve të xhirimit. Fillimisht angazhimi me politikë, zgjedhja si ministër i Kulturës në vitin 1992, angazhimi në fondacionin për Artin e Kulturën që e ideoi vetë, e mbajtën larg prodhimit. Asnjëherë nuk ka pranuar se ka qenë larg kinematografisë. I ndjek zhvillimet e saj edhe në ditët e sotme. Sheh sërish diktat. Jo më me rregulla që të diktohen nga lart, por me rregulla që i dikton tregu kinematografik. Sot filmi është edhe art, edhe financë, art dhe mall në të njëjtën kohë, do të thoshte ai. Nuk beson aq shumë në përmbysjen e sistemeve e bashkë me të të vlerave. Sheh më shumë komercializëm se sa vlera. Por, gjithsesi, mbetet optimist. Për të filmi është një domosdoshmëri. Një copëz identiteti, kulture që na prezanton në botën e madhe. "Duhet vetëm ta marrin seriozisht punën që bëjnë", këshillon ai për regjisorët e rinj. Ndërsa në një intervistë që i kemi marrë më herët, i mëshon faktit se temat nuk mungojnë në realitetin shqiptar. Veçse pragu nga ku duhet të nisë krahasimi i vlerave janë filmat që ata krijuan nën diktaturë. Për të janë të papranueshme cilësi më të ulëta. Rikthimi pas 17 vjetësh me filmin "Gjoleka, djali i Abazit", i shtyu shumë të mendojnë nëse ky do të jetë filmi i fundit. Përgjigjen e ka lënë të hapur. "Jam në krijimtari të plotë dhe e ndiej veten mirë", është shprehur pas këtij filmi. Do të jetë film, dramaturgji apo një skenar? Asgjë nuk premtohet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›