Kur të zbresin edhe nga autobusi yt
Solidariteti i ekipit të Edvinit ka marrë fund. Autobusi-mavi është shndërruar në një mjet piktoresk që tashmë qarkullon pa pasagjerë. As Edi Rama dhe as deputetët e zonave s’hipin më në të, pasi e konsiderojnë si një ogur të keq për zgjedhjet e 23 qershorit. Autobusi bosh është shndërruar në simbolin e një fushate ku lidershipi është braktisur nga elektorati dhe s’përdoret më as për lidhje televizive e as për dekor, pas pamjeve të trukuara të “Këndeve të Fjalës”
Një konstante 13 vjeçare e Edi Ramës në politikë është se ai gjërat i nis mirë dhe i bitis keq. Nganjëherë shumë keq. E nisi në ministrinë e Kulturës si risi provokative e përfundoi me fasadat skandaloze të pallateve ngjyra-ngjyra apo me shigjeta. Si kryetar bashkie të Tiranës e nisi me sistemimin e lumit të Lanës dhe e mbylli me sheshin bark-hapur duke e bërë të padurueshme administrimin e politizuar të punëve të kryeqytetit. Si kryetar të Partisë Socialiste e nisi me heqjen e Anastas Angjelit dhe Fatos Nanos dhe po e mbyll karrierën e politike me largimin e Arben Malajt dhe rikthimin e Cac Angjelit në parlament. Megjithatë edhe këtë fushatë elektorale Edi Rama e nisi me risinë e autobusit të “Rilindjes”, por pas dy javësh fushatë autobusi është shndërruar në një mjet piktoresk që tashmë qarkullon pa pasagjerë. As Edi Rama dhe as deputetët e zonave s’hipin më në të, pasi e konsiderojnë si një ogurkeq për zgjedhjet e 23 qershorit. Për shembull, autobusi i “Rilindjes” u nis dje nga Gjirokastra drejt qytetit të Përmetit për të prezantuar të gjithë kandidatët e për deputet për qarkun e Gjirokastrës. Edi Rama hipi në autobus për pak minuta sa për të bërë ca foto. Në autobus përveç Erion Velisë të gjithë kandidatët e tjerë mungonin dhe po udhëtonin me karvanin e makinave drejt Përmetit për të mbushur sheshin duke sinjalizuar jo vetëm një mungesë serioziteti, po edhe një mungesë solidariteti mes shokësh. Ndodh në strategjinë e PS, që Edi Rama të futet në autobusin e “Rilindjes” veç për të bërë ndonjë kronikë lajmesh apo ca foto propagandistike për rrjetet sociale siç për shembull i shpërndante dje Erjon Veliaj në “Tuiter” dhe “Facebook”. Ndërkaq autobusi bosh është shndërruar në simbolin e një fushate ku lidershipi është braktisur nga elektorati dhe ai s’përdoret më as për lidhje televizive e as për dekor, pas pamjeve të trukuara të “Këndeve të Fjalës”, në të cilat Edi Rama u jep përgjigje pyetjeve të papërgatitura. Kjo u vërtetua më së miri në Labinot Fushë të qarkut të Elbasanit ku një militante e PS kishte marrë detyrë partie të hiqej si një mësuese që kërkonte punë dhe demaskonte një ofertë korruptive, ndërsa Edi Rama këtë fakt të stisur e përdorte për të thënë “ja korrupsioni”. Por trukimi i fushatës po shoqërohet me rritjen e dozës së shpifjeve, çka nxjerr zbuluar edhe panikun që po mbizotëron në kampin mavi. Sidoqoftë, Edi Rama në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve parlamentare është në një hall të madh, frymëzimi opozitar është shuar, militantët janë të demotivuar, qytetarët janë distancuar nga projektimi i “rilindjes” si një rikthim prapa, tek rritja e taksave, tek futja në parlament e Koço Kokëdhimës, e shumë biznesmenëve të tjerë që hyjnë në politikë me plane biznesi për të shtuar pasurinë në kurriz të së mirës publike siç bënë 11 vjet në Tiranë.
...