Kurban Bajrami, Namazi do të falet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi sot të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet ditën e mërkurë, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.
Sipas KMSH-së, pas hapjes së programit, Hafiz Enes Hyka do të lexojë Kuranin.
Ndërsa më pas kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu do të mbajë fjalën përshëndetëse.
Ceremonia do të vijojë me mbajtjen e një ligjërate nga Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica dhe me faljen e namazit të Bajramit, të kryesuar nga kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu
Hutbeja e Bajramit do të kryhet nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja
KMSH bën të ditur se pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së, nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron të gjithë shqiptarëve festën e Kurban Bajramit.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
/k.s/a.f/