"Kurbani", Edi Rama: Dhunimi i Anetës në sallën e gjyqit nga mikja e saj, gjykatësja Fullani
Edi Rama rrëfen në librin “Kurbani” gjyqin e nënës së tij me kryeministrin Berisha, ku gjykatëse ishte mikesha e hershme e Anetës, Ariana Fullani. “Në mungesë të këllqeve për të marrë anën e ligjit, mundet fare mirë t’ia kishte kursyer vetes këtë turp gjykatësja e lartë, duke u tërhequr për shkak të lidhjes në miqësi me Anetën”
Gjyqi i nënës së tij, Anetës, kundër kryeministrit Berisha është vetëm “shkëndija” që e shtyn Edi Ramën drejt një radiografie të errët mbi sistemin e drejtësisë në vend. Duke zbuluar në librin “Kurbani” një fakt të panjohur më parë, miqësinë e hershme të nënës së tij me gjyqtaren Ariana Fullani, lideri i opozitës rrëfen tronditjen e nënës së tij nga ai që e quan dhunim në sallën e gjyqit. Megjithatë, zhgënjimin e nënës së tij nga mikesha e vet, në këtë gjyq për “dinjitetin e rrëmbyer” në foltoren e Kuvendit, Edi Rama e cilëson një dramë të vogël, krahasuar me dramat e mëdha që shkakton përditë sistemi ynë i drejtësisë.
Edi Rama
Askund, për asnjë rast, për asnjë arsye politike në botë, njerzillëku nuk ia lë vendin kafshërisë në jetën publike e politike të cilitdo vendi ku votohet lirisht e ku njerëzit kundërvendosen në frontet e alternativave e jo në barrikadat e gërdisë gojore, ashtu sikundër as që mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani, që përballë një gruaje pensioniste si nëna ime, e cila detyrohet të marrë rrugën e gjyqit për të mbrojtur jo djalin, por dinjitetin e saj të cenuar publikisht, të nxjerrë të pafajshëm dhunuesin Kryeministër e të kthejë mbrapsht në shtëpi qytetaren që s’kërkonte asgjë përveçse t’i tregonte opinionit publik se nuk kishte asnjë të vërtetë në akuzat lehëse të Kryeministrit ndaj saj dhe se ajo s’kishte asgjë për të rrëfyer publikisht nga të “vërtetat” e kllamisura prej Saliut në foltoren e turpit të asaj nate kuvendore. S’do ta kisha përmendur emrin e Arianës, nëse s’do të ishte në mes miqësia e saj me nënën time, miqësia jonë e vjetër familjare me familjen Fullani, fakt që e bëri edhe më tronditës për time ëmë dhunimin në sallën e gjyqit, ku zonja Fullani, për arsyet që ajo i di, po që s’është e vështirë të merren me mend në këtë vend, zgjodhi të bënte një padrejtësi të madhe, duke fyer ligjin dhe moralin kushtetues të barazisë para ligjit në gjykimin e një çështjeje që kishte vënë përballë arrogancën e xhindosur të pushtetit me brishtësinë e një gruaje 71-vjeçare që kërkonte me krenari mbrapsht vetëm dinjitetin e rrëmbyer peng nga ekrani faqe gjithë shqiptarëve. Në mungesë të këllqeve për të marrë anën e ligjit, mundet fare mirë t’ia kishte kursyer vetes këtë turp gjykatësja e lartë, duke u tërhequr së paku me pretendimin e konfliktit të interesit, pikërisht për shkak të lidhjes në miqësi me Anetën, gjë që në rrathët e shthurur të moralit qytetar e profesional të inteligjencës së sotme shqiptare, ku për të ngrënë përsheshin e pushtetit, qetësia guhake mbi karrige vjen përpara ruajtjes së normave të atij morali, s’do të kishte qenë tekembramja fundi i botës, por banaliteti i së keqes së futur thellë në shpirtat e dobët edhe pa qenë hiçfare nevoja, siç qe për vdektarët e zakonshëm në kohën e gjyqeve të diktaturës së proletariatit a për gjykatësit e asaj kohe, e bëri Arianën të zellshme në shlyerjen e turpit të foltores së Kuvendit të Shqipërisë me turpin e çekiçit të Gjykatës së Lartë. S’është as turpi i parë e as i fundit i një gjykate të Shqipërisë së Saliut. Në konopin e gjatë të turpit të sistemit të sotëm të drejtësisë shqiptare, që është lidhur fyt në qafën e çdokujt ndër shqiptarët, që rruga e jetës u sjell ndesh padrejtësinë e veshur me pushtet a të ushqyer me para të pista, kjo e nënës sime është një dramë e vogël, e pakrahasueshme me dramat e grave të veshura zi, që sikterisen si lebrose e tutje nga dyert e gjykatave me vendime shfajësuese për zhdukësit e fëmijëve e burrave të tyre, me dramat e nënave që rihapin vajin kur gjykatat u japin pafajësi vrasësve të djemve të tyre e monstrave që u kanë përdhunuar vajzat, me dramat e burrave që gjunjëzohen si kuaj të qëlluar në gjoks nga çekiçët që bien për t’i zhveshur prej të drejtave që më kot kërkojnë në gjykatë në emër të Kushtetutës, të ligjit, të pronës së të parëve a dinjitetit të nëpërkëmbur dhunshëm prej shtetit, ose horrave që mbrohen nga shteti si simbole të pandëshkueshmërisë në këmbim të favoreve të errëta që u bëjnë të pandëshkueshmëve në pushtet, me dramat e shqiptarëve të zakonshëm që nuk kanë djalin a babën biznesmen e s’mund të lyejnë rrotën e Tomës a të shtyjnë karrocerinë e Sashenkës me para për t’i ikur padrejtësisë që u kap këmbët e s’i lëshon, po i lidh në sallat e gjyqeve dhe pastaj i hedh në lumin e të dëshpëruarve.