Ish-ushtarakët, 293 emrat e rinj që marrin pensionet
ISSH publikon listën e re me emrat e ushtarakëve që përfitojnë pensione të parakohshme dhe suplementare
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon listën e re me emrat 293 ish-ushtarakëve që u janë lidhur përfitimet deri në datën 13 nëntor. Në këtë listë janë përfshirë emrat përfituesve të pensioneve suplementare të pleqërisë dhe ato të parakohshme, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre i përkasin qytetit të Tiranës. Pjesa tjetër e përfituesve janë nga Durrësi, Elbasani, Berati, Shkodra dhe Korça. Tashmë, specialistët e ISSH-së kanë nisur procesin e llogaritjes së pensioneve edhe për ish-ushtarakët që i përkasin kategorisë suplementare, para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Deri më tani, sipas të dhënave nga ISSH-ja, janë caktuar rreth 50% e pensioneve suplementare, për pensionet e reja të pleqërisë, për ata që janë liruar para datës 30.06.1991.