“Mosmarrëveshja”, një sprovë letrare për shpirtin e shprishur
“Mosmarrëveshja”, libri i fundit i shkrimtarit Ismail Kadare, megjithëse solid nga pikëpamja e strukturimit, është nga ata librat e papërcaktueshëm jo thjesht në kuptimin e llojit, por edhe të vetë temës apo subjektit që trajton.
Nuk e thua dot se është vetëm ese, ndërsa ndeshesh nëpër faqet e tij me fakte të mirëfillta historike të shkruara në stilin e historianit, me synopse romanesh që rrëzëllejnë si xeherorët në thellësi të lëndës së përzishme dhe që ndoshta nuk do të shkruhen kurrë, me ligjërime poetike dhe filozofike në prozë për himnin kombëtar apo për Zotin e animizuar të racës, me shtrirjen e harkut të imagjinatës për të lidhur brigjet e ndara të ngjarjeve apo vakuumet e krijuara nga aksidentet dhe rrëmetet e historisë.
Nuk e thua dot ndërkaq me siguri të plotë se “Mosmarrëveshja” trajton aksh temë, pasi gjithë libri është një ndërthurje dhe pranëvënie temash e refleksionesh të largëta, që nganjëherë duket sikur janë futur me njëfarë arbitrariteti në kapakët e të njëjtit libër, siç janë për shembull përsiatjet për fatin e Skënderbeut nga mesjeta në rilindje në një anë dhe përshkrimi i vrasjeve terroriste brenda llojit dhe prapa shpine në radhët e formacioneve partizane shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër. Ombrella e kësaj mishelaneje, ajo që mëton të konferederojë temat dhe stilet e librit është Mosmarrëveshja. Mosmarrëveshja është subjekti i epërm dhe gjithëpërfshirës i lëndës. Por të mos mendojë njeri se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje konkrete, të prekshme, të dokumentueshme. Vetë Mosmarrëveshja është efemere, është si një mjegull, si një hukamë e shekujve të Shqipërisë dhe shqiptarëve me sekretin e fatit të tyre të mbështjellë atje, mes asaj reje që ngjan të jetë një seli e shpirtit. Në të vërtetë Mosmarrëveshja merret me shpirtin, me atë që në analogji me stilemën e vjetër arbëreshe të gjakut të shprishur, mund të konsiderohet shpirti i shprishur.
Në një shkrim tjetër e kam parë Mosmarrëveshjen si testament të orientimit perëndimor të Shqipërisë. Dhe është e vërtetë, libri e mbështet gjerësisht këtë përfundim. Sot flas për Mosmarrëveshjen si vizitë në selinë e shpirtit të shprishur. Komentatorë dhe recensionistë të tjerë, me sa kam lexuar, e kanë parë nga këndvështrime të tjera. Nuk ka asgjë për t’u habitur, jo vetëm se lexuesi lexon shpesh vetveten në faqet e një libri, por para së gjithash sepse Mosmarrëveshja është e tillë, një libër që transformohet apo shfaqet në sytë e lexuesit si salamandër, si pamjet kaleodoskopike. Vetë shkrimtari, i vetëdijshëm për terrenin e rrëshqitshëm dhe natyrën delikate të eksplorimit të tij si dhe duke dashur të mbrohet nga keqkuptimet, kufizimet, teprimet apo edhe nga pasojat e një blasfemije, e ka paraqitur tekstin e tij si “sprovë letrare”. Sprova letrare është tendë e madhe për të gjitha pyetjet, madje edhe për trillimin si ligjërim artistik. Dhe mënyra më e mirë për t’u përballur me një temë të tillë është ta shtrosh thjesht, siç e shtron diskuri popullor. Pse jemi kështu? Pse vonohemi? Pse nuk bëhemi?
Me një gjuhë të epërme zotërinjsh, Konica dhe Fishta na lanë me shkrim kumtet dëshpëruese se armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Më tej, ka patur dhe ka gjithnjë një pengim apo një drojë për të hulumtuar arsyet e thella të kësaj dukurie, si të jetë fjala për një besëtytni që nuk duhet prekur ngaqë mund të shpërthejë më keq apo duke shkuar me mendimin se Shqipëria kështu është ndërtuar, kështu ka qenë apo kështu u bë nën pushtimin e gjatë osman, pra kështu ekziston, si unitet të kundërtash, si dikotomi e brendshme e një populli me dy tre shpirtra, që gravidojmë në drejtime të ndryshme dhe prodhojnë ashtu historinë origjinale të vendit të tyre. Historinë e mbështetur në të mos marrurit vesh. Po të ishte kështu, kërkimi i shkaqeve që përcaktojnë prapambetjen dhe vonesat e Shqipërisë nuk do të kishte kuptim. Të gjithë do të duhej të pajtohemi me një gjendje mallkimi pa shpëtim. Por nuk është kështu. Për këtë temë kardinale është shkruar me kursim ngaqë është e vështirë, e rëndë, delikate gjithashtu. Përveç talentit dhe përgatitjes, mendoj se kërkohet domosdoshmërish edhe statusi i shkrimtarit, në kuptimin që kjo është temë e një karriere të sprovuar, apo e një doktorature të lartë, së cilës autori i qaset vit pas viti e dekade pas dekade në ngjitjen e tij drejt majave të letërsisë dhe artit. Me fjalë të tjera, kjo e Mosmarrëveshjes është një temë e majave, një temë për Kadarenë, pa dyshim, jo vetëm se Kadare është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në një formë a në një tjetër krijimtaria e tij ka qenë prej dekadash një Eksplorim me E të madhe dhe një Propozim me P të madhe në çështjet e identitetit kombëtar dhe konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve.
Ka qenë e pritshme që autori i novelave që pahitën me ndriçim arbëror kujtesën, karmën dhe ndërgjegjen e lexuesve të tij në periudhën e komunizmit, si për shembull “Ura me tre harqe” apo ‘Kush e solli Doruntinën”, të përballej në qetësinë e lavdisë dhe famës me temën madhore të kornizës shpirtërore të shqiptarëve. Libri “Mosmarrëveshja-mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është sprova e parë. Në të vërtetë, një eksplorim si ky, i mbështetur në dije të gjera por gjithnjë të pamjaftueshme, nuk mund të mos jetë letrar. Të vërtetat artistike përfaqësojnë, siç pranohet nga shumica e filozofëve, shkallën me të lartë të së vërtetës. Pra, sprova letrare është qasja e duhur për të sjellë një tablo sa më gjerë të raportit të Shqipërisë me vetveten, apo, më saktë, për të ndërtuar figurën sa materiale aq edhe himerike të Mosmarrëveshjes, si shprehje e ngërçit kombëtar.
Matet Kadareja, vonohet t’i afrohet enigmës. Ky afrim do të kalojë nëpër disa stade që janë vetë kapituj e librit, gjithsejt dymbëdhjetë, botë më vete secili, që mund të ndahen në dy grupe. Botët e epërme, ato që i kushtohen Himnit, Skënderbeut, Zotit… Dhe botët e poshtme, ato që sjellin pasqyrimin e një përballjeje mes njerëzve të gjallë, bashkëkohës. Mes kombëtaristëve në një anë dhe mohuesve në anën tjetër, me të cilët shkrimtari, në zbritjet e tij nga fluturimet e epërme, shpenzon edhe disa polemika. Vetë autori nuk është njëpërmasor në këto botë. Si në një paradoks mitik, ai zmadhohet duke u ngjitur, pra duke u larguar dhe zvogëlohet disi duke u afruar.
Po cila është thellë-thellë Mosmarrëveshja? Ku mund ta kapim? Në origjinë apo në pasojë? Në esenë e tij, Kadare citon një dialog nga drama e shkurtër “Nën hajat të Parizit”, të Gjergj Fishtës, me dy personazhe, Skënderbegun dhe Djallin. Heroi shqiptar e pyet djallin që sapo ka mbërritur plot me lajme nga toka: “Si janë pra shqyptarët e Shqipërisë”? Djalli i përgjigjet: “Si janë? …Si i don armiku”!
Citime, sentenca dhe pohime të tilla, herë të vërteta, herë të stisura, kanë në librin e Kadaresë një aktualitet të njëjtë, qoftë kur vinë nga mesjeta, qoftë kur merren nga masmediat kohës së sotme. Në atdheun si përmasë shpirtërore apo si parim shpirtëror, pesëqind vjet janë si pesë vjet apo si pesë ditë; zhvillimet dhe ngjarjet në këtë sferë i nënshtrohen një kalendari tjetër, që ngjan të jetë olimpik dhe hyjnor, si vetë vështrimi i hulumtuesit. Ajo që Fishta ka shkruar në vitin 1914 është aktuale në Shqipërinë e vitit 2010 dhe ajo që “mohuesit” shkruajnë në vitin 2010 kundër heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit jehon, lidhet dhe shkrihet me gjithë investimin shekullor për çmitizimin, zvogëlimin apo denigrimin e tij. Pjesa “Tri kohë për Skënderbeun” është një tablo e epërsisë së padiskutueshme të bëmave të mëdha të personazhit mbi hollësitë e parëndësishme që janë thërrimet e të mëdhenjve për qyqarët. Si mund të merret seriozisht një raport anonim për Skënderbeun si vjedhës kuajsh dhe të përdoret për të shërbyer të ashtuquajturin çmitizim të heroit, ndërkohë që tre sulltanë u prinë ushtrive më të mëdha të botës së atëhershme për ta thyer. Analogjitë çalojnë, por a mund të përfytyrohet Presidenti i SHBA-së në krye të trupave të NATO-s kundër një vjedhësi makinash?
Kapitull pas kapitulli, ora e heqjes së vellos nga fytyra e enigmës ka ardhur. Ta shohin të gjithë. Përçarja është thelbi i Mosmarrëveshjes, e cila shfaqet në mungesën e vullnetit për të qenë bashkë apo në dobësimin e vullnetit për të qenë bashkë. Jemi të përçarë. Nuk kemi vullnetin e duhur për të qenë bashkë. Është kaq e thjeshtë dhe kaq dramatike njëkohësisht. “Lëkundja e vullnetit për të qenë bashkë do të ishte për kombin si lëkundja e një tërmeti të ngadaltë, por të zgjatur e me pasoja fatale. Valët e tij do të shtriheshin shumë larg në kohë, për të arritur, për herë rrënimtare, gjer në kohën që po jetojmë, në shekullin XXI”, shënon Kadare në kapitullin “Epilog me Zotin”, që vjen si një konkluzion i gjithë sprovës së tij. Jemi në zemër të problemit, të cilin vetë Kadare e prek me njëfarë rezervimi. Problemi në fakt ngjan të jetë shumë më i madh dhe, pse jo, edhe më i thellë sesa kundërshtitë që provokojnë polemikat për çështjen e figurës së Skënderbeut e tjerë.
Kadare afrohet disa herë në të ashtuquajturin trekëndësh të Bermudës të fatit të Shqipërisë, që janë Turqia, Greqia dhe Serbia. Ai trajton me guxim dhe me mjeshtëri të lartë çështjet e orientimit gjeopolitik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dyzimet dhe shtysat kundërthënëse në këtë rrafsh, për t’u rikthyer te tema e dobësisë së vullnetit për të qenë bashkë. A është Shqipëria në sindromën ukrainase, ku gjysma e popullit tërheq në një kah dhe gjysma në një kah tjetër? Çështja nuk shtrohet fjalë për fjalë kështu, por lexuesi ka të drejtë ta mendojë. Përgjigjja e Kadaresë është se me tre besimet dhe katër komunitetet e tij fetare populli shqiptar përfaqëson një identitet unik që aspiron europianizmin. Ndarjet, tërheqjet dhe shqyerjet nuk vinë nga poshtë, nuk vinë nga konstitucioni shpirtëror i shumicës së popullit, por stimulohen nga armiqtë dhe rivalët e Shqipërisë dhe interpretohen sa nga “renegatët”, aq edhe nga elita e korruptuar dhe e papërgjegjshme politike e vendit. Një konkluzion si ky duket pak më i ngushtë se gjerësia me të cilën e ka shtruar problemin e ngërçit kombëtar Kadareja. Libri të krijon përshtypjen se autori kërkon të thotë apo po përgatitet të thotë më shumë. Në të vërtetë, libri sjell jehonën e një thirrjeje të vonuar në dukje, por aktuale në dritën e kandarit olimpik të atdheut shpirtëror, të deosmanizimit të shoqërisë shqiptare aty ku ka nevojë. Është një thirrje komplementare me thirrjet e mëparshme të shkrimtarit për nevojën e dekomunistizimit.