E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbani i Ramës dhe Kujtimet e Kadaresë

Nga Ardian Vehbiu*

Dy nga veprat që, pas gjase, do të rrëmbejnë vëmendjen e vizitorëve në Panairin e ardhshëm të Librit në Tiranë, janë Kurban i Edi Ramës dhe Kohë e pamjaftueshme e Elena Kadaresë. Ai i zonjës Kadare është libër kujtimesh; ky i zotit Rama më tepër rrëfim sesa kujtim. Megjithatë, të dy autorët e kthejnë kohën pas, për ti dhënë kuptim e domethënie atij koleksioni rastësish, që është e kaluara.

Çdo autobiografi është e rreme; por jo sepse autori gënjen. Në fakt, është e pamundur të vësh rregull në të kaluarën, pa i risistemuar faktet dhe pa i renditur në mënyrë të tillë, që ato të përligjin, njëfarësoj, të sotmen.

Zoti Rama e quan veprën e vet rrëfim; në të dy kuptimet ose diatezat e kësaj fjale si narrativë dhe si konfesion. Edhe zonja Kadare rrëfen dhe rrëfehet në librin e saj, ndoshta më shumë për bashkëshortin sesa për veten.

Suksesi i paralajmëruar i këtyre dy librave konfirmon etjen e publikut shqiptar për rivështrime të së kaluarës; edhe pse librat u drejtohen lexuesve të moshave të ndryshme. Znj. Kadare shkruan për brezin që u rrit në totalitarizëm dhe kaloi, në harkun e pak dhjetëvjeçarëve, nga optimizmi në pesimizëm, nga euforia në depresion. Z. Rama, përkundrazi, shkruan më tepër për një brez më të ri, në thelb bijtë e atij tjetrit, që ëndërruan e u ngritën të korrigjonin e të shlyenin gabimet, gafat e ndonjëherë edhe krimet e baballarëve të tyre.

Librin e z. Rama, të cilin e kam lexuar, nuk e klasifikoj dot në memuaristikë; autori më shumë reflekton dhe arsyeton për të shkuarën e vet si kryebashkiak i Tiranës dhe si politikan, të cilin nuk e lanë ta realizojë vizionin e vet për qytetin kryeqytet të Shqipërisë. Suksesi i tij i pashembullt përzihet me trishtimin dhe zhgënjimin, sidomos në ballafaqimet me pushtetin qendror. Kujtimet e zonjës Kadare i kam lexuar, përkundrazi, vetëm në mediat; dhe mediat janë përqendruar në çfarë thotë ajo për të shoqin jo për veten.

Ndryshe nga çifti Kadare, z. Rama në rrëfimet e veta nuk e shmang dot portretin e një njeriu të vetmuar; që ndoshta ka të bëjë më shumë me natyrën e tij psikologjike dhe qasjen prej artisti ndaj botës; por edhe me faktin, në vetvete banal, se për të reflektuar njeriu ka nevojë për tu tërhequr nga bota, për pak vetmi dhe heshtje. Dikur, njerëzit mbylleshin përkohësisht në manastire, ose ndërmerrnin udhëtime pelegrinazhi në vende të shenjta; sot ky angazhim intim me publikun përtej strukturave institucionale dhe protokollare mbetet një alternativë, për këdo që është gjithnjë nën projektorët, e veçanërisht për politikanin.

Lexuesi shqiptar, veçanërisht i brezit të vjetër që edhe lexon më shumë, është profilizuar prej kohësh si i pasionuar pas pornografisë totalitare; ose historive e kujtimeve të ripërtypura për bëmat e patriarkëve të djeshëm. Kjo lloj tradite, tashmë e konsoliduar, nuk është se i sjell ndonjë të mirë memuaristikës shqip, ose edhe thjesht refleksioneve për të shkuarën. Tek e fundit, Elena Kadareja, Ismail Kadareja dhe Edi Rama mbeten tërheqës si personalitete të jetës publike përtej situatave skandaloze ose pikante, ku mund të jenë përfshirë, ndonjëherë edhe kundër dëshirës së tyre. Prandaj, edhe kureshtja e mediave, dhe e lexuesve të kushtëzuar, për të marrë vesh se me kë e ka tradhtuar pikërisht Elenën Ismaili, ose si ishte puna e atyre fotove lakuriqe të Ramës, rrezikon ta banalizojë pritjen e këtyre veprave, të cilat në thelb nuk kanë gjë të përbashkët me shtypin e verdhë, as me atë rozë.

Tek e fundit, të dy autorët kanë gjëra të mençura për të thënë; dhe duhen dëgjuar për çfarë sjellin nga vetja në veprat, jo për çfarë ka qëlluar tu ndodhë në jetë, shpesh aksidentalisht e përtej dëshirave ose vullnetit të tyre.

Goethe-ja ka thënë diku se historia duhet interpretuar si të ishte metaforë; edhe pse, për të dy veprat në fjalë, metaforën e ndërlikon fakti që autorët, edhe njëri, edhe tjetri, e mbajnë njërën këmbë në të shkuarën dhe tjetrën në të tashmen; madje në mënyrë të tillë që edhe veprat e sapobotuara do të përfshihen sakaq në jetëshkrimet e tyre publike. Kësisoj, kujtimet dhe rrëfimet, të këtyre dy personazheve kult të jetës publike në Shqipëri, do tu shërbejnë atyre edhe si një mënyrë e butë për tu ndarë nga e shkuara pa ia kthyer kësaj shpinën.

*I plotë mund të lexohet në Peizazhe të Fjalës dhe Respublica me titullin Ballafaqime

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›