Kurbin, goditen tre raste të kultivimit të bimëve narkotike, arrestohen tre shtetas

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin po vijojnë kontrollin intensiv të territorit nga toka dhe ajri, nëpërmjet përdorimit të dronëve.
Gjatë kontrolleve dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative u goditën tre raste të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe u arrestuan në flagrancë tre shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin J. R., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrolleve të kryera në fshatin Sheshaj, Mirditë, u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa (Cannabis sativa), të kultivuara në këtë zonë.
Po ashtu Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan në flagrancë shtetasin D. N., 47 vjeç, banues në Fshat Laç, Kurbin, pasi u kap duke u kujdesur për 151 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasen V. M., 44 vjeçe, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës”, Laç, u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, për të cilat dyshohet se kujdesej.
Bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan me anë të djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/m.m/r.e/