E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion antidrogë në Vlorë, sekuestrohen 700 doza lëndë narkotike

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Policia e Vlorës finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “WEST”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë 5 shtetas.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas, nga të cilët 2 janë shtetas italianë.

Konkretisht Policia arrestoi shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.

Në kuadër të operacionit u sekuestruan 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”.

Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›