E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdët inspirohen nga Kosova

Kurdistani po e përcjell me vëmendje rastin e Kosovës. Ky rajon i Irakut shpreson që FIFA t’ia lejojë përfaqësueses së Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore për ta ndjekur me pas rrugën e vendit tonë. Kurdët shpresojnë që t’u lejohen miqësoret dhe duan të jenë të barabartë me të gjitha vendet tjera.

Rasti i Kosovës po ndiqet me vëmendje nga vendet, të cilat i përkasin rastit përafërsisht të njëjtë. Njëri prej tyre është edhe Kurdistani (pjesë e Irakut), i cili është në pritje të vendimit të FIFA-s për lejimin apo jo të zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës.

Nëse Kosova e merr dritën e gjelbër nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit, atëherë kurdët besojnë se do t’u shtohen shpresat që edhe ata ta kenë mundësinë ta ndjekin rrugën e kosovarëve.

Kurdistani, një rajon në Irak, nuk e ka shijuar ende pranimin nga komuniteti ndërkombëtar, i cili frikësohet për një destabilizim në Lindjen e Mesme nëse ky vend do të pavarësohej. Ndërkaq, Kosova është pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 36 vende evropiane, përfshirë këtu edhe 22 nga Bashkimi Evropian, dhe 54 vende të tjera.

Po ashtu, Kosova është pjesë e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjë e cila nuk i takon edhe Kurdistanit. Ky vend e kishte organizuar një turne në muajin qershor, ku ka ftuar vendet që janë refuzuar nga FIFA, përfshirë këtu Kurdistanin, Qipron Veriore dhe Tamils, Saharën Perëndimore dhe Darfurin.

“Përqafimi i FIFA-s me Kosovën do t’i bëjë padyshim Kurdistanin dhe vendet tjera më të vendosur që ta arrijnë statusin e barabartë në futboll”, ka thënë presidenti i Kurdistanit, Massoud Barzani.

Kurse, presidenti i Federatës së Futbollit të këtij vendi, Safin Kanabi, theksoi se dëshiron t’i shërbejë vendit dhe beson se ky vend mund të ketë të drejta të barabarta me të tjerët shumë shpejt. Edhe selektori i këtij vendi, Abdullah Mahmoud Muhieddin, shpreson që ekipi i tij të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare.

“Si çdo vend tjetër, ne duam t’i hapim dyert përmes futbollit. Shikojeni Brazilin. Njerëzit e njohin këtë vend së pari nga futbolli. Ne duam ta bëjmë të njëjtën gjë. Duam të kemi ekip të fortë. Ne po e bëjmë punën tonë, politika të vetën. Shpresojmë që do ta kemi vendin tonë dhe flamurin”, theksoi Muhieddin.

Edhe drejtuesit e Federatës së Saharasë së Jugut, Mohammed Bougleida shpreson që vendi i tij ta ketë të drejtën të zhvillojë ndeshje miqësore me të gjitha vendet tjera të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›