Kurorë me gjemba, Pinku Eiga
Një fenomen unik japonez i kinemasë që zë fill në vitet 60, janë filmat erotikë. Të xhiruar me dy groshë, në 3-4 ditë, në mjedise klaustrofobike, me aktorë amatorë.
Por më të mirët e tyre janë manifeste antipolitike ndaj forcave ekstremiste dhe shkretisë morale në kulm të zhvillimit industrial
Pinku eiga një zhanër që lindi në Japoninë e viteve gjashtëdhjetë u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik javën e shkuar. Ishte hera e parë që kjo kinema, prezantohet për publikun grek i cili, në fakt, temave të seksualitetit dhe të erosit nuk u ka krijuar hapësirë sa në Perëndim.
Akoma më e mbyllur dhe diskrete duket çështja sepse bëhet fjalë për imazhin dhe të shfaqurit e gjallë.
Megjithatë është pritur me interes shfaqja e 10+1 filmave që e kanë pasur jo të lehtë të projektohen dhe distribuohen në festivalet ndërkombëtare dhe në tregun botëror në fillimet e tyre, duke bërë që në krye të herës, Franca një përjashtim dhe Gjermania, në Berlinale.
"Pinku eiga nisi jo si pornografi por si akt rezistence." Është prezantimi që i bën drejtorja e festivalit të Selanikut Despina Mouzaki, e cila ka pranuar idenë e Lefteris Adamidis për të pasur në program edhe "Pinku Eiga"-n. Me rezistencë ajo kupton përballjen e mjedisit politik dhe social mbytës, konservativ dhe represiv.
Autorë të këtij zhanri mbajtën lidhje ose dhe bashkëpunuan me regjisorë si Akira Kurosawa, Nagisa, Seijun Suzuki, Shôhei Imamura, dhe të tjerë të cilët njihen si figura bazë të kinemasë botërore.
Lefteris Adamidis, drejtori artistik i seksionit "Indipendence Days" ku është përfshirë edhe projeksioni i filmave pink nga Japonia, thotë se shkas për të sjellë këtë lloj kinemaje tek publiku në Selanik, u bë së pari botimi i veprës "Beyond the Pink Curtain" i Jasper Sharp-it, "një vepër e shkëlqyer e cila i kushtohet fenomenit ekskluziv japonez të filmit pink - prodhime të lira në 35mm me përmbajtje seksuale dhe me një intrigë të cilën ustallarë të kinemasë e shfrytëzojnë si pedanë për kërkim - krijuar me një pasion cinéphile-i që rrallë e ndesh sot."
Së dyti shkas u bë "zbulimi" së fundi në Japoni dhe projeksioni i filmave të Noboru Tanaka-s, një përfaqësues me peshë i filmave erotikë. Kjo retrospektivë është shoqëruar dhe me një botim dy-gjuhësh greqisht anglisht, ku janë përfshirë ese nga studiuesit e zhanrit të cilët citohen edhe tek kjo paraqitje.
Filmat e shfaqur gjatë ditëve të festivalit ishin zgjedhur nga koha e artë e pinkut të viteve 60-70. U prezantuan vepra nga Tatsumi Kumashiro, Mamoru Watanabe, Moukai Kan, dhe u tërhoq vëmendja nga dy figura, njëra subversive si ajo e Koji Wakamatsu-t dhe tjetra e mjeshtrit të Roman Porno-s, Noboru Tanaka.
Jasper Sharp i cili vë në dukje se fenomeni ndodh në një vend i cili nga pjesa tjetër e botës është parë si pionier i teknologjisë, jep një përkufizim për filmin pink: një film i prodhuar në mënyrë të pavarur, i xhiruar në film 35mm nga ekipe profesionistësh ose gjysmë profesionistësh, tërheqja kryesore e të cilëve është përmbajtja seksuale.
Në tre vjet, 1962-1965 u prodhuan 213 filma pink. Numri i filmave të kategorizuar si R-18 seijin eiga, shumica e të cilëve janë filma pink, është listuar edhe në faqen zyrtare të Eirin-it bordit të censurës.
Kështu në vitin 2008 rezulton të jenë prodhuar 85 filma të tillë. Shpesh regjisorët përdorin taktika guerile në mungesë të lejeve zyrtare për filmim. Tek karakteristikat e zhanrit hyjnë edhe akrobacitë seksuale të aktorëve amatorë çdo 15 minuta, xhirimet në underground dhe në mjedise klaustrofobike, ku trupi i njeriut është peizazhi vetë.
Është e vërtetë e rëndomtë tashme se filmat pink janë filma erotikë, vëren Sharp. Ashtu sikurse është e vërtetë se jo të gjithë filmat erotikë që prodhohen në Japoni janë filma pink.
Nëse ishte Nagisa Ôshima regjisori që mjegulloi kufijtë ndërmjet artit dhe pornografisë me filmin "Në mbretërinë e shqisave" (In the realm of the senses), Koji Wakamatsu bashkëproducenti i tij dhe më pas një nga më të veçantët e zhanrit, sot e kësaj dite, i joshur edhe nga fama që të jep skandali, i hapi rrugë kësaj kinemaje të njihet dhe të shfaqet në festivalet kryesore evropiane në fund të viteve 60 dhe në fillim të viteve 70. Vepra e Wakamatsu-t zhvillohet paralel me lëvizjen studentore dhe me rritjen politike të së majtës radikale.
Kështu, edhe pse quhen të humbur titujt e fillimit të këtij zhanri, tek veprat e Wakamatsu-t, edhe ato që kanë mbijetuar që prej viteve gjashtëdhjetë, japin një depërtim unik tek rinia japoneze, kultura, politika, seksualiteti i një epoke të cilës i kthehet në vitin 2008 me dokumentarin dramatik "United Red Army" duke dhënë diagramën e ngritjes dhe rënies së grupit radikal terrorist.
Për kritiken Nicole Brenez filmat e Wakamatsu-t "janë njëherësh agjitprop, ese vizuale, ëndrra erotike, pamflete satirike, elegji, muza historike, lot celuloidi, provokime plot gaz, debate filozofike dhe kartëpostale të inkurajimit dërguar nga një territor i çliruar nga beteja të fituara me mund, në adresë të viseve tona akoma të zaptuara."
Duke u ndalur tek filmat "Running in madness, dying for love" (1969) dhe "Shinjuku Mad" (1970), ajo kujton se për Wakamatsu-n një trup është i zhveshur sepse është duke bërë dashuri ose është dhunuar, sepse është rrahur për vdekje, torturuar ose thjesht sepse ndalet në prapaskenë për të shpjeguar betejën politike që shfaqet rreth tij, në përballje ndërmjet japonezëve dhe pararojave proletare.
"Në filmat e Wakamatsu-t, seksi është një motor që drejton revolucionin (duke vënë në veprim ligjet e kënaqësisë), mënyrë që propagandon revolucionin (me protagonistët e tij që recitojnë duke bërë dashuri slogane të Ushtrisë së Kuqe Japoneze, si tek "Ectasy of the Angels"), dhe pengesat e tij: si t'i shuaj tërë dëshirat e mia pa asgjësuar Tjetrin?"
Ja shpjegimi që Brenez i jep kësaj paranoje, duke cituar Frojdin i cili shkruan më 1929 tek "Qytetërimi dhe pakënaqësitë e tij": "(Për njerëzit) i afërmi i tyre nuk është vetëm një ndihmës i mundshëm ose objekt seksual, por edhe dikush që i josh për t'jua marrë mbi vete agresionin e tyre, për ta shfrytëzuar pa shpërblim punën e tij, për ta përdorur pa pëlqimin e tij seksualitetin e tij, të marrë në zotërim të mirat e tij, ta poshtërojë dhe t'i shkaktojë vuajtje, ta torturojë dhe ta vrasë atë.
Homo homini lupus (Njeriu për njeriun është ujk). Kush, pas gjithçkaje që ka mësuar nga jeta dhe historia, do të ish aq trim sa ta kundërshtonte këtë pohim?"
Brenez shënon se "Secret behind the wall" (1965) (Sekreti përtej murit) i Wakamatsu-t, është një satirë e pamëshirshme për shoqërinë industrialiste japoneze dhe se i vetmi nga kinemaja botërore që mund të krahasohet me të është "Deux ou trois choses que je sais d'elle" (Dy a tre gjëra që di për atë) i Jean-Luc Godard-it, i realizuar 3 vjet më vonë.
Noboru Tanaka u paraqit me dy studime për dashurinë dhe vdekjen nga trilogjia e tij e Showa-s "Watcher in the Attic", "Beauty's Exotic Dance: Torture" dhe një film në frymën e Nouvelle Vague "Secret Chronicle: She Beast Market".
Alexander Jacoby duke marrë shkas nga filmat e Noboru Tanaka-s, pohon për Kodin Japonez të Censurës: "Ndoshta nuk ka kontradiktë më të madhe se rregullat e censurës që lejojnë paraqitjen e dhunës ekstreme seksuale, ndonëse ndalon dukjen në ekran të organeve gjenitale.
Në përgjithësi kultura japoneze ka pasur një qasje tradicionale ndaj seksit në një mënyrë jo moraliste, por Roman Porno ka ekzistuar pikërisht për të plotësuar nevojat e një publiku që e përfytyron seksin si diçka që nuk është për t'u provuar, por për t'u vëzhguar, qoftë edhe nëpërmjet vrimës së çelësit apo në një kinema të errët. Në këtë kuptim tema e Watcher in the Attic është një model."
Nga Masao Adachi nxënës dhe bashkëpunëtor i Wakamatsu-t, i cili la vendin dhe u bashkua me luftën për liri të palestinezëve, ishte zgjedhur "Gushing Prayer" 1971 (Lutja e papërmbajtur) një alegori e mrekullueshme për eksperimentimet e një brezi të tërë - i njëjti brez i fiksuar nga Moukai Kan tek "Blue film woman" (Gruaja e filmit blu), një kritikë e hidhët ndaj mirëqenies japoneze.
Sot, filmin pink e gjen në konkurset kinematografike, por ajo që vunë në dukje programuesit e këtij seksioni në TIFF, ishte nevoja për një rivlerësim kritik për ta bërë pinkun një kënaqësi me më pak faj. Sepse shqetësimi i kinemasë pink nuk është trazimi i trupit dhe i mishit, por trazimi i shqisave dhe i shpirtit.