E motra: Fredin mund ta vrasin në burg
E motra e Aldo Bares rrëfen për gazetën "Shekulli" se si ka mësuar ekstradimin e njeriut më të kërkuar të drejtësisë shqiptare
Pëllumbesha Gjoni: Në shqipëri Aldos i rrezikohet jeta, nëse ndodh gjë, përgjegjësia bie mbi strukturat e shtetit
Ka nisur që pasdite të gatuajë, duke u kujdesuar që gjithçka e dalë nga duart e saj të jetë pikërisht ushqimi i preferuar i të vëllait. Pëllumbesha Gjoni do të takohet sot me njeriun më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që për të është vëllai që prej vitesh nuk ka mundur t'i tregojë dashurinë e saj prej motre. Ndaj dhe gjithçka në shtëpinë e saj është kthyer përmbys, ndërkohë që pamjet që transmetohen në television i rrëqethin mishin.
Është e bindur që i vëllai, Fredi, siç e quan ende ajo, nuk merriton të jetë i lidhur kokë e këmbë. Ndërsa akuzat të cilat rëndojnë mbi Aldo Baren, sipas saj, janë çështje juridike, që herë a vonë drejtësia do të thotë fjalën e saj, pa çka që Pëllumbesha Gjoni ka fort pak besim tek ajo.
Ndaj në një intervistë për gazetën "Shekulli", motra e Aldo Bares rrëfen jo vetëm procedurat e ekstradimit por dhe sfidën e radhës të një prej njerëzve më të anatemuar nga politika dhe më të akuzuar nga drejtësia shqiptare.
Znj. Pëllumbesha, kur jeni vënë në dijeni të ekstradimit të vëllait tuaj për në Shqipëri?
Në fakt, nuk ka shumë ditë që unë jam vënë në dijeni se institucionet kompetente turke kishin marrë një vendim mbi fatin e tim vëllait. Por deri sa pashë pamjet nuk e kam ditur përfundimisht se ku do të shkonte Fredi.
Nga ajo çfarë pashë jam tmerruar. Ishte një pamje e rëndë jo për mua si motra e tij, të shihja Fredin të lidhur këmbë e duar, por edhe për vendin për mënyrën se si trajton një qënie njerëzore. T'im vëllai i është privuar liria dhe jo të drejtat e tij ndërkohë që përballë opinionit publik u shfaqen pamje të denja vetëm për kohën e mesjetës, megjithatë...
Vendimi për ekstradimin e Fredit është marrë më 18 shtator por deri më tani është mbajtur në fshehtësi të plotë nga autoritetet turke. Madje për këtë nuk është vënë në dijeni as avokati i tij. Personalisht jam vënë në dijeni të këtij vendimi dy javë më parë por pa ditur se do të vinte në Shqipëri.
Përgjatë këtij viti, Kolegji Suprem i shtetit turk kishte dhënë dy vendime të ndryshme mbi ekstradimin e Fredit. Njeri bënte fjalë për ekstradimin e tij në Itali dhe tjetri në Shqipëri, ndaj dhe deri të hënën, kur Fredi është stransferuar nga Ankaraja në Stamboll ne nuk kemi pasur asnjë dijeni se ku do të përfundonte. Fakti që mbi të rëndonin akuza të vërtetuara më të rënda në Itali, besonim se im vëlla do të përballej me drejtësinë e këtij vendi.
Ju thatë se vendimi i gjykatës supreme ka qenë disi evaziv, por kush ka vendosur për ekstradimin e Aldo Bares?
Ajo që mund të them është bindja jo vetëm e imja por edhe avokatit që ka mbuluar çështjen, se më së shumti kemi të bëjmë me një vendim politik dhe jo juridik. Ka qenë Këshilli i Ministrave turke ai që ka vendosur për këtë çështje ndaj dhe avokati i tij, Xhemil Cen, e ka apeluar në gjykatën e Strasburgut menjeherë këtë vendim.
Megjithatë, dua të them se nga bisedat që kam pasur me Fredin gjatë kohëve të fundit, ai ka dashur të vijë në Shqipëri për t'u përballur me akuzat e ngritura për të nga drejtësia shqiptare.
Dhe deri më tani ka qenë insistimi i avokatit të tij, dhe kjo jo pa qëllim, që Fredi të përballej me drejtësinë italiane. Por tashmë gjithçka është në duart e tij se si të mbrojë veten, megjithëse unë nuk kam aspak besim tek drejtësia shqiptare.
Në fakt, zonja Pëllumbeshë, në një intervistë të dhënë, Aldo Bare është shprehur se në rast ekstradimi në Shqipëri, jeta e tij është e rrezikuar. Tashmë që vëllai juaj ndodhet në qelitë e burgjeve shqiptare sa real është ky rrezik?
Unë duhet të isha e lumtur, që kushdo qofshin akuzat për tim vëlla, të paktën e kam në Tiranë. Dhe do të isha e tillë në rast se vërtet jeta e tij nuk do të ishte e rrezikuar këtu. Mendoj se ky rrezik është real nga mënyra se si është trajtuar deri më tani problemi Aldo Bare. Mos të harrojmë se sa herë dëgjojmë se nëpër burgje vrau veten filan i burgosur apo dhe incidente të tjera, për mua asnjëherë nuk janë ashtu siç edhe janë deklaruar.
Ndaj kam frikë për jetën e tim vëllai dhe kërkoj me forcë nga autoritetet shtetërore që atij t'i sigurohet jeta, përndryshe përgjegjësia do të bjerë mbi instiucionet shqiptare, të cilat kanë përgjegjësi ligjore që krahas akuzave, t'i garantojnë edhe jetën individit.
Znj. Gjonaj, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj Aldo Bares rëndojnë akuzat për krijimin e organizatës kriminale, akuzat për më tepër së 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale.
A keni ju besim tek drejtësia shqiptare mbi tërë këto akuza që rëndojnëmbi vëllain tuaj?
Jam e bindur që asnjë prej këtyre akuzave jo vetëm që nuk qëndrojnë por as nuk do të mund të provohen në gjykatë. Por po të kisha besim tek drejtësia shqiptare nuk do t'iu bëja thirrje institucioneve shqiptare që të garantojnë jetën e vëllai tim. Megjithatë, Fredi tashmë është këtu dhe nuk është nevoja që unë të flas në emër të tij.
.
Ikbale Shkurtaj mëson rikthimin e të birit pas 10 vjetësh nga transmetimi i mediave
Telefonata e parë e Aldo Bares në Shqipëri, me nënën në Lushnje
"Alo nënë jam Fredi. Ndodhem në Shqipëri dhe jam mirë me shëndet". Ikbale Shkurtaj as që i ka besuar veshëve se nga ana tjetër e recepsionit ishte pikërisht i biri që e telefononte pas afro 10 vjetësh nga Shqipëria. Që në orët e para të mengjesit është goxhduar përballë televizionit, duke ndjekur çdo fjalë që thuhej për Alfred Shkurtin.
Në fakt, gruaja rreth të 80-tave ende s'e ka marrë veten nga shokimi që ka pësuar kur me të hapur televizionin mëson se i biri në forca të rrepta sigurie ndodhej tashmë në Shqipëri. Ikbalja të thotë se nuk ka pasur asnjë dijeni për ekstradimin e të birit ndërkohë që shpreson që drejtësia të gjykojë mbi faktët dhe jo akuzat që janë rreshtuar për të birin.
E ndërsa ndiqte me ankth çdo lajm që thuhej për të, rreth pasdites telefoni i shtëpisë s'pushonte së rëni. Me t'u vendosur në qelinë e burgut të sigurisë së lartë, 313, kërkesë të vetmë që ka bërë Aldo Bare është ajo e së drejtës së një telefonate. Dhe përveç nënës së tij kë mund të telefononte tjetër.
Më shumë se ajo asksuh tjetër nuk ka hequr kusuret e njeriut më të akuzuar nga drejtësia shqiptare. E pasi kanë bideduar pak minuta, telefoni është mbyllur. Ikbalja nuk di nëse duhet të jetë e lumtur apo e frikësuar nga ardhja e të birit në Shqipëri.
E di fortë mirë që tashmë pas 10 vitesh pa e parë me sy do të mund ta takojë. Por ky gëzim i shuhet kur kujton rreziqet dhe akuzat e rënda me të cilat do të përballet Aldo Bare në Gjykatën Shqiptare. Ndaj Ikbale Shkurtaj nuk është në gjëndje të thotë asnjë fjalë. Në veshët e saj duket se ende oshëtin ai zë që ajo për herë të parë, pas 10 vitesh e dëgjon nga toka shqiptare.
Këshilli i Ministrave në Turqi vendosi më 18 shtator ekstradimin e Aldo Bares në Shqipëri.
Qeveria Turke shpëton drejtësinë shqiptare
Qeveria turke i jep fund kalvarit të përpjekjeve të drejtësisë shqiptare për ekstradimin e një prej personave më të kërkuar të saj. Ndoshta odisjeja e vendimeve gjyqësore do të vijonte pa fund nëse Këshilli i Ministrave të shtetit nuk do të vendoste që Alfred Shkurti, mbi të cilin prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur një mal me akuza, të ekstradohej në Shqipëri.
Gjatë këtij viti, Gjykata Supreme e Shtetit turk ka dhënë dy vendime mbi ekstradimin e Alfred Shkurtit. Sipas, të dhënave nga të afërm të tij, kjo gjykatë është shprehur për esktradim në të dy vendet që prej vjetësh "luftojnë" për vendosjen e Aldo Bares në bankën e të akuzuarve. Prej 3 vjetësh, nisur, nga akuzat e ngritura nga prokuroria e Krimeve të Rënda, drejtësia shqiptare ka kërkuar me insistim ekstradimin e Bares në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, edhe drejtësia italiane ishte e interesuar për ekstradimin e tij për shkak të disa veprave penale që dyshohet se ai kishte kryer atje. Ndërkohë që odiseja e dosjeve vijonte në gjykatat turke, pak kohë më pare, Aldo Bare ka kundërshtuar ekstradimin e tij në Shqipëri, duke e argumentuar këtë me rrezikun që i kanosej në qelitë e burgjeve shqiptare.
Por procedurave të gjata të argumenteve dhe kundër argumenteve nëpër disa shkallë të gjykatave turke u janë dhënë fund më 18 shtator. Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, vendoset përfundimisht që Aldo Bare të përballet me drejtësinë shqiptare ku aktualisht po gjykohet në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, vjedhje dhe trafik droge. Tashmë pas ekstradimit, gjykimi do të vazhdojë tani me vetë dëshmitë e Aldo Bares.