E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurorëzimi i Mbretit Charles III, Begaj takohet me Princ William: Vlerësojmë lidhjet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka marrë pjesë në ceremoninë e Kurorëzimit të Mbretit Charles III.

Në pritjen e dhënë nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III dhe Mbretëresha Camilla për Krerët e Shteteve që po marrin pjesë në ceremonitë e kurorëzimit të tyre në Fronin Mbretëror, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj  u takua dhe bashkëbisedoi me Mbretin Charles III dhe Princ William.

“I nderuar të përfaqësojë Shqipërinë në Kurorëzimin historik të Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla. Ne i vlerësojmë lidhjet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar dhe u dërgojmë urimet tona më të mira Madhërive të tyre“, shkruan Begaj në një postim në Twitter.

Gjithashtu Begaj është takuar edhe me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidentin e Austrisë, Alexander Von der Bellen, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentin e Hungarisë, Victor Orban, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, e të ftuar te tjerë.

Në bashkëbisedimin e rastit me ta, Presidenti Begaj nënvizoi rolin e Shqipërisë në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti, si dhe shkëmbeu opinione mbi sfidat aktuale me të cilat po përballet rendi botëror dhe vlerat e përbashkëta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›