Kurset e formimit profesional në Gjirokastër, 100 kursantë të certifikuar janar – qershor

Punësimi i të rinjve përmes marrjes së një profesioni është qëllimi i çeljes së kurseve nga Qendra e Formimit Profesional në Gjirokastër.
Vetëm gjatë periudhës janar- qershor rezultojnë të jenë certifikuar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, pas 3 muajve e gjysëm frekuentim në disa të tillë, 100 kursantë nga rajoni jugor.
Po cilat janë moshat më të interesuara për të ndjekur këto kurse?
“Mosha më e interesuar për të ndjekur këto kurse është mosha nga 30 deri në 35 vjeç të cilët vijnë nga qarku i Gjirokastrës, Tepelenë, Këlcyrë , Dropull e të tjera. Kjo moshë është ajo që i përshtatet më shumë tregut të punës”, tregon Drejtoresha, Qendra e Formimit Profesional në Gjirokastër, Mira Lapa.
Mes 40 kurseve që ofron Qendra e Formimit Profesional në Gjirokastër një pjesë të mirë e zënë ato të fushës së ndërtimit si pllakashtrues, saldim, hekurkthyes, gurgdhendje, karpentier etj. Certifikata e marrë pas përfundimit të këtyre kurseve është e vlefshme dhe në tregun e huaj.
/rtsh.al/