Kursi i ri politik, zbardhet axhenda e deputetëve të PS
Partia Socialiste nis të vërë në jetë, në kuptimin e plotë, kursin e ri politik. Pas rikthimit në Kuvend, si hapi i parë në drejtim të këtij kursi, tashmë socialistët kanë vendosur që të “përveshin mëngët” për të realizuar një opozitë të vërtetë parlamentare, qoftë në komisione, ashtu edhe në seancë plenare. Për këtë qëllim, ka nisur puna për ta shndërruar të gjithë grupin parlamentar në një mekanizëm funksional, qoftë për të realizuar veprimtarinë ligjvënëse, ashtu edhe atë kontrolluese ndaj qeverisë, dhe kjo, jo duke ia lënë rastësisë, por duke ndjekur dhe zbatuar një axhendë konkrete detyrash, të hartuar tashmë sipas propozimeve të çdo deputeti. Zbatimi i këtij projekti të ri do të nisë sot me mbledhjet e veçanta të deputetëve socialistë të çdo komisioni të përhershëm parlamentar me kryesinë e grupit, duke përcaktuar detyrat javore që do të zbatohen në jetën parlamentare, ku natyrisht, pjesë do të jenë edhe interperlancat, seancat degjimore apo edhe komisionet hetimore.
Riorganizimi
Socialistët janë rikthyer të frymëzuar nga pushimet verore dhe e kanë marrë shumë seriozisht fillimin e sesionit të ri parlamentar. Grupi parlamentar pritet të ketë një fytyrë të re këtë sesion që ka nisur dhe kjo, duke iu përkushtuar totalisht opozitë-bërjes parlamentare. Në zbatim të porosive të dhëna më parë nga kreu i partisë, deputetët socialistë, kanë punuar këto ditë për të hartuar një skemë të re riorganizimi të grupit parlamentar. Kështu, fillimisht, në bazë të propozimeve dhe sugjerimeve të dhëna nga secili deputetë, dhe kryesisht nga krerët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare, mësohet se është bërë e mundur hartimi i një axhende të posaçme pune për të gjithë grupin. Axhendë, që siç mësohet, ndan punën për deputetët e secilit komision, natyrisht, kjo, sipas temës dhe çështjes që trajtohet. Megjithëse selia rozë është treguar tepër e rezervuar për të bërë të ditur detaje të këtij programi pune, burime pranë saj kanë treguar dje, se në të, janë paraqitur në vija të përgjithshme detyrat e çdo komisioni, ku përfshihen çështjet, ku dhe duhet përqëndruar vëmendja në vijim. Bëhet e ditur se nuk mungojnë në këtë axhendë kërkesat për inteperlanca dhe seanca dëgjimore, me drejtues institucionesh apo me grupe interesi, si nisma ligjore.
Komisionet
Kjo përsa i përket axhendës, pasi riorganizimi përfshin edhe mënyrën e funksionimit të vet grupit dhe të komisioneve të përhershme parlamentare. Mësohet se axhenda, sipas fushave të caktuara, do t’u vihet sot në dispozicion vet deputetëve respektivë, sipas çdo komisioni, të cilët do të diskutojnë mbi të dhe do të përcaktojnë detyrat afat-shkurtra dhe ato afat-mesme. Realisht, deputetët socialistë, sipas komisioneve respektive për të trajtuar detyrat e tyre që dalin nga axhenda e përgjithëshme, do të mblidhen çdo ditë të premte, në praninë edhe të kryesisë së grupit parlamentar. Në këto takime që nisin sot, do të diskutohet realizimi i detyrave për javën që lihet pas dhe detyrat që do i ngarkohen deputetëve të komisionit përkatës për javën e ardhëshme. Pas çdo mbledhje, mësohet se është vendosur që të ketë një komunikim me mediat, duke përcaktuar për këtë dhe një person kontakti. E njëjta gjë pritet të bëhet edhe për mbledhjet e grupit parlamentar, ku është vendosur tashmë, që të ketë një zëdhënie për çdo mbledhje mbi vendimet e tij. Ndërkohë që deputetët e komisioneve parlamentare, në punën e tyre, në hartimin e qëndrimeve dhe propozimeve të ndshyshme, do të ndihmohen nga anëtarët e komisioneve respektive të Asamblesë Kombëtare.