Tre komisione në PS për reformat
Pas kthimit në Kuvend, PS ka nisur punën për hartimin e propozimeve konkrete në lidhje me reformat, që janë kusht i BE-së, për marrjen e statusit të vendit kandidat, ku më të rëndësishme cilësohen ato në fushën e drejtësisë, apo ajo zgjedhore, por pa hequr dorë edhe nga reforma kushtetuese. Për këtë qëllim, janë bërë gati ngritja e grupeve të posaçme të punës, të cilët do të punojnë në mënyrë të pavarur për këto tre reforma. Kështu, socialistët kanë vendosur të ngrenë një grup të posaçëm pune, i cili do të punojë mbi sugjerimet e raportit të ODIHR-it, por edhe mbi përfundimet që do të dalë Komisioni i Venecias, lidhur me pyetjet, që sekretari i përgjithshëm i KiE-s, i ka dërguar për një sërë paqartësish që shfaqën zgjedhjet e fundit në vendin tonë. Natyrisht në këtë grup pune nuk do të jenë vetëm juristë, por edhe matematicien, të cilët do të studiojnë në mënyrë të veçantë anët pozitive dhe negative të sistemit aktual, pra atij proporcional rajonal, dhe të atij që mund të propozohet gjatë reformës, pra proporcional kombëtar. Ndërkohë që një grup pune tjetër, por kësaj here vetëm me juristë dhe konstitucionalistë, do të ngrihet për reformën kushtetuese. Dihet tashmë që PS ka shfaqur hapur pretendimet për realizimin e një reforme kushtetuese, e cila në radhë të parë duhet të prekë çështjen e imunitetit të zyrtarëve, si dhe zgjedhjen e presidentit. Socialistët e kanë konsideruar jetike për demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, nevojën e zgjedhjes së një presidenti konsensual me një shumicë të cilësuar votash. Jashtë vëmendjes së selisë rozë nuk do të mbesë as reforma në fushën e drejtësisë, ku përveç draftit për gjykatën administrative, pritet të shtrohen për amendime dhe një sërë ligjesh të tjera, që prekin institucionet kryesore në vend, si dhe kodet e ndryshme. Të tre këto komisione, pritet, që në ditët në vijim të konstituohen, për të nisur më pas punën për të hartuar paketat konkrete për secilën çështje.