E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurteshi: Avokati i Popullit, i pavarur nga politika

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka thënë se insitucioni i tyre ka dëshmuar se është i pavarur nga politika. Problem kryesor për këtë institucion mbetet marrja e vendimeve apo qëndrimeve, të cilat politikisht mund të mos i pëlqejnë dikujt. 

"Problemet kryesore natyrisht janë dhe të natyrës politike, nganjëherë, ku ne detyrohemi të marrim qëndrime, që dikujt politikisht nuk i pëlqejnë. Por kjo është detyra jonë si institucione dhe ne nuk mund të ngurrojmë dhe të themi, nëse ka shkelje të drejtave të njeriut, jo, kjo është një çështje që kanë bërë politikanët dhe ne do të tërhiqemi”, ka deklaruar Kurteshi, gjatë takimit që zhvilloi sot me Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani.

Kurteshi ka thënë se në takim me homologun e tij nga Shqipëria, janë identifikuar disa çështje prioritare, ku duhet të intensifikohet bashkëpunimi. Sipas Kurteshit, të dy këto institucione, mund ta ndihmojnë njëra tjetrën në aspektin politik dhe hapësinor.

Avokatët kanë biseduar për rritjen e bashkëpunimit, duke thënë se me rritjen e bashkëpunimit rritet edhe besimi te qytetarët. Ata kanë thënë se qëllimet e institucioneve që drejtojnë janë mbrojtja e qytetarëve dhe përgatitja aktive në procesin e integrimit të dy vendeve.

Ndryshe, si sfidë po ashtu u përmend dhe reformimi i këtyre dy institucioneve, në mënyrë që t’i përgjigjen sa më mirë ankesave të qytetarëve, vendosja e elementit të mirëqeverisjes si dhe krijimi i urave të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtarë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›