E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Alternativa jonë, Republika e Tretë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti duke folur për alternativën qeverisëse të kësaj lëvizjeje të cilën VV-ja e ka prezantuar sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, tha se Kosova ka nevojë për Republikën e tretë.

Ai në Interaktiv ka thënë se shumë prej aseteve tashmë të privatizuara mund të kthehen në pronësi publike me qeverisjen e Vetëvendosjes. Kurti ka shtuar se VV nuk është kundër pronës private por shteti duhet t’i mbajë asetet strategjike në pronësi publike.

“Marrëveshjet Thaçi- Daçiq ne nuk i zbatojmë, ne jemi duke shikuar edhe tash mundësine me komisione parlamentare ta ndalojmë zbatimin e tyre”, ka thënë Kurti duke folur për mundësinë e qeverisjes së VV-së.

Kurti ka sqaruar se VV është për tregun e lirë.

Ai ka folur edhe për tatimin progresiv. Sipas tij, VV është për pagën minimale të mos ketë tatim, dhe tatimet mbi këtë pagë, të jenë nga 5 për qind deri në 30 për qind.

“Ne jemi për tatim progresiv edhe në gjoba dhe kontribute”, ka thënë Kurti.

Ai ka kritikuar sistemin neoliberal duke thënë se edhe kapitalizimi mund të diskutohet meqë ka shumë forma të tij.

“Kur po them që shteti që po duam ta transformojmë, Republika e re, bashkimi kombëtar, nuk janë kundër askujt tjetër, kjo do të thotë që nuk janë kundër pakicave në Kosovë, përfshirë atë serbe, sepse në Alternativën Qeverisëse tonë, ne e themi qartë dhe saktë që mendojmë të kemi një shoqëri të integruar, që vjen sërish nëpërmjet barazisë dhe zhvillimit, nëpërmjet punësimit dhe prodhimit dhe nëpërmjet sundimit të ligjit që bëhet sundim i së drejtës”, kishte thënë Kurti gjatë fjalës së tij në prezantim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›