Kurti, BE-së: Më shumë presion Serbisë

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, ka kërkuar që BE-ja të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë ngase mënyra se si e trajtojnë aktualisht nuk e disiplinon, e për më tepër, as nuk e ndryshon atë.
Ai shprehu shqetësimin lidhur me koncesionet gjithnjë e më të mëdha dhe gjithnjë e më të shpeshta që po bëhen si rezultat i dialogut Kosovë-Serbi. Kurti ka theksuar se nuk po reduktohet Republika vetëm në emër por edhe në substancë.
Këto deklarata lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë pas takimit me ambasadoren Francës në Kosovë Marsye Daviet.
Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s shpalosën qëndrimin e Lëvizjes lidhur me proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.
Në takim Ambasadorja Daviet shprehu interesim lidhur me qëndrimet dhe zgjidhjet e ofruara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në adresimin e çështjeve si zhvillimi ekonomik dhe mungesa e vendeve të punës, çështja e veriut, statusi i kishës ortodokse në Kosovë etj.
Të dy palët si Lëvizja VETËVENDOSJE! po ashtu edhe ambasadorja franceze, u pajtuan për komunikim më të shtuar e takime të tjera në periudhën në vijim./Indeksonline/