Veseli: Haradinaj kryeministër vetëm me vota

Ish-kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli ka thënë se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është kryeministër vetëm me vota.
Veseli ka thënë se lirimi i Ramush Haradinajt është një fitore e madhe për Kosovën dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës.
“Pastaj çdo pretendim apo dëshirë është legjitime deri në momentin kur e ka edhe mbështetjen legjitime të votave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. PDK-ja është fituese legjitime dhe legale në Kosovë aktualisht, presim zgjedhjet e ardhshme, besojë se do të kemi një situatë më të mirë dhe edhe më të lakmueshme për qytetarët tanë. Kjo i bjen që të gjithë do të jemi të kënaqur me vullnetin e sovranit dhe do të zgjedhemi në bazë të këtij vullneti të sovranit” ka thënë Kadri Veseli për radio Dukagjinin.
Ai ka thënë po ashtu koalicioni i cili ndërtohet në bazë të legjitimitetit demokratik të votës dhe i cili ka një vizion të interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë ata që angazhohen në politikë.
“Unë besoj se Ramush Haradinaj mund t`i kontribuoj Kosovës në mënyrë jashtëzakonisht pozitive. Ashtu si çdo individ apo lider i cili është i angazhuar në politik, por vetëm në rastin kur respekton, apo respektojmë të gjithë rregullat demokratike të cilat ne i kemi vënë vetë. Janë standardet të cilat duhet t`i respektojmë dhe të sillemi konform këtyre rregullave” ka thënë Veseli./Indeksonline/