E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Gjyqi ndaj meje qëllim politik, EULEX s'mund të më gjykojë

"Nuk u paraqita në seancën e parë gjyqësore sepse unë nuk e njoh EULEX-in, dhe ngaqë ky rast është i motivuar politikisht". Kështu ka deklaruar, Albin Kurti , kreu i "Vetëvendosjes", në seancën gjyqësore ndaj tij.

" Unë do të pranoja ftesën prej një gjykate të përbërë prej vendasve të mi, por unë do ta kufizoj komunikimin tim me këtë gjykatë të EULEX-it vetëm deri në masën që e mendoj të nevojshme për të përfaqësuar Lëvizjen VETëVENDOSJE!", është shprehur ai.

Kurti tha se nuk mund t'i ofrohet një gjykim i drejtë dhe se veprimtaria e tij është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet.

Albin Kurti u shpreh kundër trupit gjyqësor, pasi sipas tij, duke e marrë përsipër këtë rast, kanë treguar miratimin në shkeljet e mëparshme etike dhe të të drejtave të njeriut. "Duke e rifilluar këtë rast ju e mbështetni padinë politike kundër meje që është absurde nga ana ligjore, dhe synimet politike të këtij procesi. Ju tregoni sheshit se EULEX-i ka qëllim të njëjtë për rastin si UNMIK-u: mbytjen e zërave kundërshtues dhe izolimin e Lëvizjes VETëVENDOSJE!, opozitën e vetme, jo të dhunshme ndaj EULEX-it në Kosovë", theksoi ai.

Sipas Kurtit, seanca ndaj tij është inicuar nga UNMIK-u për t'i ikur përgjegjësisë për krimet e veta dhe trupi gykues e mbështet këtë
objektiv duke e rifilluar rastin bazuar në padinë politike të UNMIK-ut.

"Më 10 shkurt 2007 policia e UNMIK-ut shtypi me dhunë të drejtën tonë për tubim paqësor dhe mospajtim duke e vendosur një kordon të paligjshëm në mes të itinerarit të paralajmëruar të demonstratës, dhe plumba vdekjeprurës vranë dy protestues paqësorë, Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, dhe plagosën mbi 80 të tjerë. UNMIK-u dhe EULEX-i tani duan ta paraqitin brutalitetin e policisë ndërkombëtare si reagim ndaj veprimeve tona, dhe të shmangin përgjegjësinë penale", saktësoi Kurti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›