E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel kërkon nga kabineti qeveritar të mbështesë masat e kursimit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka bërë thirrje anëtarëve të kabinetit qeveritar që të jenë unik në lidhje me miratimin e pakos së masave për kursim.

Deklarata e Merkel vjen një ditë pasi mijëra punëtorë protestuan dje në Berlin dhe Shtutgart kundër masave të kursimit të qeverisë gjermane.

Në një prononcim për gazetën “Bild am Sonntag”, Merkel ka deklaruar se qeveria gjermane duhet të mbrojë vendimet e saja.

Qeveria e kancelares Merkel të hënën publikoi planin për reduktimin e buxhetit për rreth 80 miliardë euro deri në vitin 2014.

Masat e qeverisë gjermane janë kritikuar ashpër edhe nga opozita, ndërkohë që ka shkaktuar edhe mos pajtime brenda koalicionit qeverisë të qendër së djathtë.

Disa politikanë nga Unioni demokratik i krishterë (CDU) i Angela Merkelit, kanë thënë se ndajnë mendimin me opozitën se pakoja e propozuar e kursimit më së shumti do të godasë shtresën e varfër të popullatës, dhe kanë kërkuar që të rritet tatimi në fitim për të pasurit, gjë e cila është refuzuar nga kancelaria gjermane.

Mos pajtimet në radhët e koalicionit qeverisës vjen në një periudhë të vështirë për Merkel, e cila po lufton që të sigurojë shumicën për kandidatin e saj në zgjedhjet presidenciale gjermane më 30 qershor.

Kësaj i ka paraprirë edhe humbja në zgjedhjet krahinore, përfshirë edhe humbjen në krahinën më të zhvilluar ekonomikisht Rajna-Vestfalia Perëndimore, kriza buxhetore në vendet e eurozonës dhe disa skandale të politikanëve.

Sipas disa hulumtimeve të opinionit, të publikuara sot, shumica e gjermanëve të anketuar qeveria aktuale nuk do të mund të mbijetojë deri në fund të mandatit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›