E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: I dëmshëm mosfunksionimi i Kuvendit

PRISHTINË, 2 tetor /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi sot se mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës është dëm për vendin dhe humbje kohe.

Gjykata Kushtetuese tha të martën që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Kjo gjykatë, detyron po ashtu deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.

Por, sipas Kurtit, Kuvendi duhet të funksionojë edhe në këtë mënyrë meqë, siç tha ai, askush nuk po ulet në karrigen e nënkryetarit të komunitetit serb.

“Ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë. Konsideroj se është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionin Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, ka zgjedhë katër nënkryetarët, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, është dashur që të vazhdojë puna e Kuvendit, sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, tha Kurti.

I pyetur për deklaratat e partive të tjera se nuk do të votojnë një deputet të Listës Serbe për nënkryetar, Kurti tha se nuk do ishin bërë nëse të njëjtët do të kishin votuar deputetin serb Nenad Rashiq, i cili kishte marrë 56 vota.

“Emilia Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi mbetur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb, po mos harroni nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe mori vetëm dhjetë vota e Rashiq mori 56, veç pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje”, tha Kurti.

Gjykata Kushtetuese e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›