E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK godet një grup kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë e përvetësim të pronës shtetërore

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se, në bazë të procedimit penal të regjistruar më 30 qershor 2023, po zhvillon hetime të thelluara në lidhje me disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në: Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje, përfshirë dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit; Falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer më shumë se një herë.

“Hetimet u përqendruan tek disa shtetas shqiptarë, të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjes në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime hakmarrjeje. Personat e përfshirë duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë arritur të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme me: Automjete me qira, armë zjarri, banesa si dhe të kryejnë mbikëqyrje të vazhdueshme me qëllim realizimin e vrasjes”, njoftoi SPAK.

SPAK njoftoi se gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprës penale të vrasjes, me paramendim me qëllim hakmarrjen, në formë e grupit të strukturuar kriminal si dhe autorëve që kanë kryer falsifikimin e dokumenteve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

“Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, E.B më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit. Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.B. (alias A.A), në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, E.A. (alias A.A)”, njoftoi SPAK.

Gjithashtu sipas SPAK si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, E.A. (alias A.A), si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi E.K., ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt bëri të ditur SPAK po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

“Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi, A.L., në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

“Keta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës, si dhe të ish-Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish-ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”, prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.”, njoftoi SPAK.

Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, sipas SPAK “regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive”.

“Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit)”, njoftoi SPAK.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 persona, ndërsa për shtetasen E. A u caktua masa e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Zbatimi i masave të sigurimit ndaj shtetasve V.M, E.K, V.B, A.B dhe E.A, është bërë i mundur nga hetuesit e BKH-së dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarit A.L, E.A, A.B dhe A.D.

SPAK njoftoi se u bë sekuestrimi preventiv i 11 (njëmbëdhjetë) pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

Njoftimi i plotë i SPAK

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›