E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Kërkesa për 45 vjet burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së bie ndesh me të vërtetën historike

PRISHTINË, 11 shkurt /ATSh/ I mandatuari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij para votimit të Qeverisë së re, përmendi kërkesën e Kryeprokurores së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për dënim prej 45 vitesh burgim për krerët e UÇK-së, duke thënë se pretendimet e tyre bien ndesh me të vërtetën dhe mohon historinë e luftës sonë çlirimtare.

Kurti e nisi fjalimin e tij si i mandatuar për formimin e Qeverisë së re, duke thënë se po i mbajnë seancën për Kuvendin dhe Qeverinë pasdite për shkak këto ditë po mbahen seanca përfundimtare në Gjykatën Speciale, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai tha se në Kosovë krime ndaj popullatës civile ka kryer regjimi i Millosheviqit, i cili është i dokumentuar edhe ndërkombëtarisht.

“Këto dy seanca po i mbajmë pasdite sepse këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësorë ndaj drejtuesve të UÇK. Kërkesa e Prokurorisë për dënimin prej 45 vitesh burgim për secilin ku përfshihen edhe pretendimet kundër njerëzimit është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik dhe politik të luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i qeverisë është i qartë, në Kosovë janë kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht”, tha Kurti.

Kurti tha se barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe regjimit gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe shtrembërim i historisë.

“Barazimi mes drejtuesve të UÇK dhe të një regjimi gjenocidal, është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik e historik, për familjet e viktimave është i padurueshëm e i papranueshëm”, tha Kurti.

/Kosovaress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›