E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti kërkon votën: Aleancat me BE-në e SHBA-në nuk lëkunden

PRISHTINË, 11 shkurt /ATSh/ I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paraqitur ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Duke kërkuar votën për të parin e qeverisjes, Kurti premtoi fuqizim të aleancave me BE-në dhe ShBA-në. Ai tha se mandatin e ardhshëm do ta investojnë 1 miliard euro në ushtri, do të rrisin pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro.

Kurti, para të zgjedhurve të popullit, foli për politikat sociale, ngritjen e shtesave për fëmijë dhe nënat lehona.

“Për herë të parë në mandatin e ardhshëm bruto-produkti vendor për kokë banori do të tejkalojë vlerën prej 10 mijë euro… Jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon pas Shqipërisë. Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar me fokus te rinia dhe gratë… Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj. Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur në shtet, por e kemi shpërndarë në popullsi duke shtuar mirëqenien shoqërore. Shtesat për fëmijë janë 30-45 euro për fëmijë ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Nga zero sa i gjetëm në 45 dhe mandatin e ardhshëm nga 45 deri në 90 për fëmijë për familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje do t’i lëmë prapa edhe disa vende të BE-së. Njësoj edhe shtesat për nënat e reja, lehonat do t’i rrisim në 500 euro në muaj për gjashtë muaj”, tha ai.

Kurti tha se aleanca me aleatët ndërkombëtarë nuk do të lëkundet në mandatin e ardhshëm.

“Kosova sot është më demokratike, më e sigurt se kurrë më parë. Institucionet tona janë më të besueshme dhe qëndrueshme. Kosova është shndërruar në anën e paqes, të drejtësisë dhe aleatëve të saj demokratik. Aleanca me BE-në, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe NATO-n nuk do të lëkundet, pasi ky bashkim nuk është strategji, por edhe vlerë… Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, rekrutojmë ushtarë të rinj, shumëfishojmë numrin e oficerëve, do të funksionalizojmë fabrikën e municionit, do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronë ushtarakë “Made in Kosova”, tha ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti tha se synojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, duke u bazuar në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e Ohrit të dakorduar në vitin 2023.

“Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ. Përmes marrëveshjes tonë bazike të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Siç kemi vepruar në katër vitet e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në çdo cep të vendit tonë”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti premtoi zbatim të reformave në sistemin e drejtësisë. Ndërkaq, theksoi se në sistemin energjetik Termocentrali Kosova B do të modernizohet, kurse Termocentrali Kosova A do të rehabilitohet tërësisht.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›