Kurti: Kosova muskujt dhe paratë i ka në mërgatë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti në një takim me mërgatën e Gjilanit tha se roli i mërgatës është shumë i madh dhe ai meriton një vend të rëndësishëm në të gjitha institucionet e vendit.
Sipas Kurtit, pa paratë e mërgatës Kosova nuk mund të mbijetoj as disa muaj.
"Populli i Kosovës paratë dhe muskujt i ka në diasporë. Pa paratë që i sjellin bashkatdhetarët tanë në Kosovë për familjet, farefisin dhe miqtë e tyre, ne si shtet dhe shoqëri nuk do të mund të mbijetonim as disa muaj. Paratë që na vinë nga bashkatdhetarët sillen rreth 2/3 të buxhetit të Kosovës” , theksoi Kurti.
Ismajl Kurteshi kryetar i VV foli për gjendjen e rëndë ekonomikë në këtë komunë.Sipas tij në Gjilan ka pak investime derisa mbi 50% e këtyre investimeve përfundon në xhepat e pushtetarëve..
“Komuna e Gjilanit është komuna me më së paku investime, përkundër premtimeve shumë të mëdha gjatë fushatës. Në komunën e Gjilanit investime kapitale ka pas gjithmonë mes 3 milionë deri 3.8 milionë euro. Komuna jonë është kampione për borxhet që i ka. Është komuna me më së shumti borxhe”, tha ndër të tjera Kurteshi./Indeksonline/