Kurti: Ndalja e bisedimeve, moment ofenzive

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka tërhequr vërejtjen se Kosova në bisedimet politike të nisura me Serbinë po dëmtohet, ndërsa, sipas tij, e ka një shans të mirë që ajo të dalë në ofensivë. Këtë do ta bënte me vetëm dy proteza - ndërprerjen e bisedimeve si dhe bllokimin e mallrave, tha Kurti në një tribunë të organizuar në Gjakovë, të dielën.
“Janë dy momente të cilat e sjellin Kosovën nga pozicioni defensivë në ofensivë; njëra është ndalja e bisedimeve dhe tjetra është bllokimi i produkteve të Serbisë. Nëse i aplikojmë këto dyja mund ta zbatojmë edhe planin 13 pikësh për integrimin e veriut”, ka thwnw Kurti.
Ai shtoi se shumë njerëz kanë përfituar pasi janë pasuruar
“Derisa është hera e parë që Serbia varet nga Kosova për anëtarësim në BE, Qeveria jonë në vend se ta kushtëzojë Serbinë, ajo po i vihet në shërbim interesave të saj” - tha Albin Kurti.
Më tej ai i përmendi katër kushte themelore të cilat i duhen vënë Serbisë, në mënyrë, që të normalizohet Serbia e të mos abnormalizohet Kosova.
Ai përmendi kushtin legal, njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe heqjen e saj nga kushtetuta e Serbisë. Kushtin moral, që është kërkim-falja dhe kthimi i të pagjeturve. Kushtin politik që është shpërbërja e strukturave financiare dhe mos financimi i tyre, si dhe ndërprerja e represionit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Dhe kushtin e katërt që është ai i zhdëmtimit, ku përfshihen dëmet e luftës, kthimi i librave kadastralë dhe atyre të amzës, kthimi i artefakteve kulturore, fondeve pensionale dhe të kursimeve.
Duke folur për veriun e Kosovës ai tha se VETËVENDOSJE! beson se mund të integrohet veriu dhe të bashkohet Mitrovica, por për këtë duhet vullnet dhe program, që këta qeveritarë nuk e kanë. Ndërkaq sa i përket VETËVENDOSJE!-s ai ua prezantoi të pranishmëve, 13 pikat e saj për integrimin e veriut, pika këto që janë prezantuar për herë ta parë në vitin 2008.