Studim për përfitimet nga nafta dhe gazi

Një studim sekret që zbulon sasinë dhe vlerën e gazit natyror dhe naftës së fshehur në det është tashmë në duart e kryeministrit grek Antonis Samaras.
Raporti me titull “Hapat për të tërhequr investimet dhe për të pasur sa më shpejt pasurinë e mundshme minerale”, përshkruan veprimet që duhet të ndërmerren menjëherë, për të shfrytëzuar hidrokarburet dhe është nënshkruar nga shkencëtarët grekë, Ilias Konofago, Antoni Foscolo dhe Nikos Ligeros, raporton BalkanËeb .
Antonis Samaras ka marrë në duar 20 faqe raport dhe një përshkrim të shkurtër të situatës.
Lidhur me depozitat e gazit natyror, që gjenden në jug të ishullit Kreta, raporti vëren se përfitimet totale për qeverinë greke mund të arrijnë nga 270 000 000 000 dollarë deri në
1 300 000 000 000 dollarë.
“Ka një probabilitet 80% për praninë e gazit në jug të Kretës, ndërsa në detin Jon ka një probabilitet 80% për praninë e naftës”, pohohet në raportin sekret.
Raporti vëren se “shteti duhet të procedojë sa më shpejt bisedimet me shtetet fqinje, për delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive (EZZ) dhe për të krijuar një klimë të përshtatshme politike”.
Deklarohet gjithashtu se “duke pasur parasysh krizën e tanishme ekonomike, prioriteti do të jetë për të tërhequr investime masive për çdo zbulim të hidrokarbureve”, duke u fokusuar kryesisht në jug të Kretës.
Studimi i mësipërm, vjen pas atij të Deutsche Bank, që vëren se depozitat nënujore të hidrokarbureve janë aq të mëdha sa që Greqia lehtë mund të paguajë borxhet dhe të dalë nga kolapsi ekonomik./Indeksonline