E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Qeveria e Kosovës, diktatoriale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar qeverinë e Kosovës si qeveri diktatoriale, ndërsa ka theksuar se regjimi aktual vetëm sa po egërsohet.

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të subjektit politik që ai e drejton, Kurti ka thënë se është e pavërtetë mënyra se si është thënë se ka vdekur ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Dino Asanaj.

“Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme si kohët e fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek. Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën. Pushteti në demokraci duhet t`a vendosë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo këtu, t`ua kundërvënë shtetin atyre”, ka thënë Kurti.

Ai ka akuzuar drejtuesit e partive politike në Kosovë se flasin për të kaluarën dhe të ardhmen, për bashkimin kombëtar dhe genocidin serb vetëm atëherë kur ndonjëri prej fqinjëve të Kosovës kërcënon shqiptarët apo ushtron dhunë ndaj tyre.

“Këta politikanë iu thonë atyre fqinjëve: rrini rehat e na lini rehat se mirë jemi! Kjo është shumë pak, shumë vonë dhe jo pak e gabueshme”, ka thënë Kurti gjatë fjalimit të tij para simpatizantëve dhe anëtarëve të Vetëvendosjes.

Qeveritarët e vendit, ai i ka cilësuar si fëmijë, të cilët, siç ka thënë Kurti, më shumë me gojë hapur sesa me veshë hapur e dëgjojnë ambasadorin amerikan, Dell, dhe ndërmjetësin e bisedimeve me Serbinë, Cooper.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›