Kurti: Rezultati i zgjedhjeve i papranueshëm

Për liderin e lëvizjes “Vetëvendosja” Albin Kurti rezultati i zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë është i papranueshëm. Në një intervistë për mediat kosovare Kurti ka theksuar se legjitimitetit i këtyre zgjedhjeve do të thotë që të legjimitosh edhe hajdutët.
“Nuk është as i ndershëm e as demokratik. Kurse rezultati i këtyre zgjedhjeve, meqë i përfshin të gjitha këto parregullsi dhe vjedhje, është rezultat i kontestueshëm. Për pasojë, legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është legjitimitet i hajdutëve dhe i dhunës”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu kreu i “Vetëvendosjes” duke iu referuar vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve theksoi se mbikqyrja e tyre pikërisht në atë ditë mungoi duke shtuar se ai kishte pritur që “ndërkombëtarët” të paktën më 12 dhjetor nuk do të lejonin që të vidhej në mënyrë të pamëshirshme vullneti i qytetarëve.
Megjithatë, Kurti nuk e përjashton mundësinë e hyrjes në Kuvend, ndonëse nuk tregon nëse deputetët e “Vetëvendosjes” do të betohen në Kushtetutë. Por për një gjë shprehet i sigurt. Asnjëri nga ta, thotë se nuk do të pranojë të shëtitet me xhip, e aq më pak të jetë i rrethuar me truproja. Deputetët e “Vetëvendosjes”, sipas tij, do të angazhohen që veturat e blinduara dhe siguria fizike t`u ofrohet prokurorëve dhe gjyqtarëve, atyre që në fakt duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kryeaktivisti i “Vetëvendosjes” nuk është ndier keq që lideri i PDK-së i ka vënë vijë të kuqe koalicionit të mundshëm me subjektin që ai e drejton, ashtu siç nuk është pajtuar me kreun e LDK-së për krijimin e një qeverie teknike. Me PDK-në, LDK-në, por edhe me partitë e tjera të pasluftës ai ka thënë se “Vetëvendosja” nuk bëhet bashkë në asnjë lloj kombinimi. Për dallim nga liderët e tjerë politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë, Kurti nxjerr diçka “pozitive” në raportin e Dick Martyt. Raporti i Dickut, sipas tij, e “disiplinoi dhe e servilosi Hashim Thaçin si kurrë më parë”.