Gelbard: Marti është i prirur për protagonizëm

Ish-emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, thekson se akuzat ndaj Hashim Thaçit janë mjaft serioze, për të cilat duhet nisur një hetim i menjëhershëm.
Gelbard e cilëson Dik Martin si një person të prirur për të qenë protagonist, por megjithatë, sipas tij, ai ka paraqitur akuza serioze. Pavarësisht këtyre, ish-emisari amerikan thotë se akuzat ndaj Thaçit nuk kanë ndikim në çështjet e pavarësisë së Kosovës.
"Rasti i Thaçit nuk duhet të jetë pengesë as në rrugën drejt zgjidhjes së çështjeve që janë në interes të ndërsjellë mes Beogradit e Prishtinës", tha Gelbard në një intervistë për "Zërin e Amerikës" në serbisht.
Ndërkaq, duke folur më tej rreth marrëdhënieve mes Uashingtonit e Beogradit, Gelbard i vlerëson të mira këto raporte, ndonëse siç tha, mund të jenë edhe më të mira. Ai thotë se vizita e zv-Presidentit Bajden dhe e sekretares së Shtetit Klinton, kanë shënuar përparim në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Serbisë.