Kurti: Të zhvillohet referendum për bisedimet me Serbinë

Kreu i lëvizjes “vetëvendosje” Albin Kurti ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Thaçi se nuk e ka bërë publike axhendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Në fjalën e tij mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Kurti theksoi se duhet të organizohet një referendum nëse duhet të nisin ose jo këto bisedime.
Sipas tij qeveria i ka pranuar bisedimet me Serbinë pa u bërë më parë një debat publik lidhur me ktë çështje.
Gjithashtu Kurti theksoi se me anë të këtyre bisedimeve do të vihen në pikëpyetje çështje të brendshme të Kosovës duke theksuar se këto bisedime nuk i sjellin asgjë vendit por vetëm Serbisë duke e anëtarësuar atë në BE.
“Këto bisedime do ta anëtarësojnë Serbinë në Bashkimin Europian dhe më pas ajo do të kushtëzojë të drejtat tona ashtu siç po bën edhe greqia me Maqedoninë” theksoi Kurti.
Ai ka akuzuar kryeministrin Thaçi se po i zhvillon bisedimet për të ruajtur pushtetin e tij dhe jo për të mirën e vendit.
“Këto bisedime tregojnë falje që ne kërkojmë ndaj Serbisë pa na kërkuar ajo falje ne” theksoi Kurti duke shtuar se Kosova duhet të përafrohet me Tiranën dhe jo me Serbinë.