Presidenti Topi uron mësuesit për 7 Marsin

Kreu i shtetit Bamir Topi ka uruar sot të gjithë mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.
Në fjalën e tij presidenti Topi theksoi se sot është një ditë e shënuar të gjithë përulen me respektin më të thellë për punën e vyer që mësuesit shqiptarë kanë realizuar ndër breza, për frytet e saj të paçmuara si dhe për sakrificat dhe përkushtimin që ata sot i dhurojnë misionit të tyre fisnik dhe të vlefshëm.
“Në këtë ditë të shënuar, gjej rast të rikonfirmoj mbështetjen dhe admirimin tim për veprën tuaj emancipuese, humaniste e europianiste, kur arsimimi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë varen nga vlerat tona tradicionale të mëkuara me aq dashuri nga mësuesit në shkollë dhe nga prindërit në familje” thekson Topi.
Gjithashtu presidenti Topi ka vlerësuar rolin e mësuesve për edukatën qytetare, por edhe për përparimin e vendit e të kombit.
“Ju keni një mision fisnik të jashtëzakonshëm, i cili merr një rëndësi edhe më të madhe në vendin tonë, i cili siç dihet, ka një popullsi me moshë mesatare të re. Ju edukoni rreth 1/4 e popullsisë që ulet çdo ditë në bangat e klasave tuaja, prej nga ku mëson dijet që do ta përgatisin për një të ardhme gjithnjë e më të mirë” thekson më tej Topi.
Ai ka theksuar gjithashtu se sot kur Shqipëria më shumë se kurrë dëshiron të jetë pjesë e familjes europiane, me standartet e saj demokratike e pse jo, edhe pedagogjike, roli i mësuesve bëhet më jetësor.
“Ju po përgatisni një brez, i cili, do të jetë tërësisht europian, me të drejtat dhe detyrimet qytetare të atij niveli ku aspirojmë të bëjmë pjesë me dinjitet. Ju, arsimtare e arsimtarë të nderuar, edhe në të ardhmen, duhet të ngulisni në ndërgjegjen e këtij brezi përkatësinë e tij europiane e njëkohësisht, krenarinë e të qenit shqiptar së bashku me vlerat tona karakterizuese” theksoi Topi.