E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurti flet pas takimeve në Tiranë: Kërkojmë mbështetje në arenën ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimeve që zhvilloi në Tiranë me krerët e shtetit shqiptar. Në një deklaratë për mediat, Kurti bëri me dije se diskutimet gjatë takimeve me Presidentin Bajram Begaj, kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe kryeministrin Edi Rama, u përqendruan në marrëveshjen me Serbinë që u arrit në Ohër.

Kryeministri i Kosovës theksoi se ka gjetur mbështetje në lidhje me marrëveshjen e arritur, teksa theksoi se nga Shqipëria kërkon më shumë mbështetje në arenën ndërkombëtare, konkretisht për anëtarësimin  në organizatat ndërkombëtare.

“I informova mbi detajet e marrëveshjes në Bruksel dhe aneksin e zbatimit  në Ohër për normalizimin e marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova t’i njoftoj nga afër dhe me hollësinë procesin e dialogut por gjithashtu edhe me elementët përbërës të marrëveshjes. Më kanë mbështetur për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur. Shqipëria është shumë më pranë Kosovës dhe kjo duket edhe në marrëdhëniet mes nesh dhe përfaqësimin e kësaj të fundit në organizmat e arenës ndërkombëtare. Kërkojmë nga Shqipëria mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosovën. Duhet mbrojtur, sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës. Por edhe të na ndihmojë për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare, duke qenë se Shqipëria ka edhe ulëse në OKB”, tha Kurti.

I pyetur se përse nuk zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike, Kurti tha se takimi i zhvilluar me Ilir Metën ishte në cilësinë e ish-presidentit. Megjithatë ai theksoi se në vizitën e radhës në Shqipëri nuk përjashtohet edhe takimi me faktorë te tjerë të politikës në vend.

“Unë kam takuar krerët e 3 institucioneve shtetërore dhe ish-presidentin Meta që e kam takuar edhe më herët gjatë procesit të dialogut dhe e kam konsideruar të rëndësishme ta informoj dhe atë. Në këtë vizitë kam takuar krerët e shtetit, nuk përjashtohet që në vizitën e radhës do takoj dhe të tjerët”, u shpreh Kurti.

Pas negociatave me Serbinë në Ohër, kryeministri Albin Kurti zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku takoi krerët më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Kurti zhvilloi më herët një takim me kryeministrin Edi Rama, ku u diskutua pikërisht mbi procesin e negociatave me Serbinë, ndërsa po ashtu kryeministri i Kosovës u prit edhe nga Presidenti Bajram Begaj dhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›