E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti për çështjen e presidentit: Shkuarja në zgjedhje nuk është opsion

PRISHTINË, 20 prill/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli të hënën për kompromis për postin e presidentit, duke thënë se duhet vullnet për zgjidhje e vendime jo të lehta.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion për vendin.

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis, dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se fiton 80 deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicione të zhvillohen bisedime të sinqerta, me interesin për vendin tonë… Qytetarët votuan për 4 vjet, dhe në përputhje me vullnetin e tyre do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për nisjen e transferimit të mjeteve të fondeve nga Plani i Rritjes. Ai tha se këto mjete do të investohen direkt në projekte.

Tutje Kurti përmendi edhe miratimin në shqyrtimin e parë të projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

E sipas tij me të merr fund parulla “rroga e vogël, fitimi i madh”.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›