E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kurti përshëndet hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE: Mësime edhe për Kosovën nga ky rrugëtim

PRISHTINË, 15 tetor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përshëndeti sot hapjen e kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në familjen evropiane.

Kurti u shpreh në një postim në rrjetet sociale se nga sot filloi një kapitull i ri e vendimtar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi”, shkroi Kurti.

“Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona”, vijoi Kryeministri i Kosovës.

“Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, përfundoi Kurti.

Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që u mbajt sot në Luksemburg shënoi edhe hapjen e bisedimeve për kapitujt e “Themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›