E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin, diskutojnë për dënimin e Speciales ndaj katërshes së UÇK-së

PRISHTINË, 23 shtator/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju-Jork me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Takimi u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa në fokus të bisedës sipas Kurtit ishin zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Kurti ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara. Ai ka deklaruar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe ka shprehur pritjen që, në procedurën e apelit, të adresohen ato që i cilësoi si padrejtësi dhe mangësi të aktgjykimit.

Kurti e falënderoi të dërguarën britanike edhe për atë që e cilësoi qëndrim të qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësoi mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›