Kurti takon zv.presidentin e BEI-së, fokus energjia dhe rrjeti i ngrohjes

PRISHTINË, 12 tetor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, priti në takim zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), Robert de Groot, para nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për projektin për përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin De Groot për vizitën, ndërsa pranoi urime për presidenten e re, zgjedhja e së cilës mundësoi kthimin e stabilitetit institucional. Në këtë frymë u diskutua për mundësitë konkrete të shtimit të vëllimit të bashkëpunimit dhe të investimeve të përbashkëta.
“Teksa përmendi rritjen e qëndrueshme ekonomike, për çka mori përgëzime, kryeministri Kurti foli për planet për investime në hekurudha, ndërtimin e pesë digave të reja, sikurse në infrastrukturën sportive si përgatitje për Lojërat Mesdhetare 2030. Po ashtu, në takim u diskutua për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe për energjinë, përkatësisht kapacitetet e reja dhe diversifikimin e burimeve”, thuhet në njoftim.
Sot, është nënshkruar marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për sektorin e shëndetësisë në vlerë prej 41 milionë euro.
/Kosovapress/