“Kusarët e mëdhenj” të votave
Në një anekdotë për Diogjenin thuhet: “Gjatë një darke në shtëpinë e një skllavopronari athinas, një shërbëtor kishte vjedhur një gotë ari dhe si dënim, do të ekzekutohej. Të nesërmen sheshi ishte mbushur plot e përplot më kureshtarë. –Pse janë mbledhur tërë këta njerëz? –pyeti një qytetar. Dhe Diogjeni sqaroi: -Kusarët e mëdhenj kanë dënuar me vdekje një kusar të vogël…”.
M’u kujtua kjo anekdotë teksa, ç’po më shohin sytë e ç’po më dëgjojnë veshët, në rrjetet sociale dhe bisedat e ndryshme mes njerëzish për blerje masive votash nga e majta në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo me sa duket na qenkërka enigma
e fitores së papritur të majtoshëve dhe arsyeja që “hajduti nuk po thërret këtë herë: kapeni hajdutin!”. Sipas atyre, që “…shkruajnë e thonë…” për këtë kusari të madhe elektorale, janë aplikuar disa skema njëherësh për blerje e “djegie” votash të djathta në favor të koalicionit të majtë; kryesisht nga dy partitë e mëdha, që kanë në përbërje të tyre biznesmenët më të fuqishëm të vendit tonë. Përgatitjet kanë filluar qysh në kohën që Partia Socialiste krijoi disa “grupe pune” me biznesmen të fuqishëm, ish-punonjës e ish-drejtues policie të liruar nga detyra për korrupsion apo për vepra kriminale, ish-oficerë e ish-sigurimsa, etj., me pretekstin se “…do të ruanin votën më 23 qershor!?”. Këto grupe bashkëpunonin me “organizatat-bazë” të PS, me qëllim identifikimin e votuesve, të cilët ishin të lëkundur apo “të pakënaqur” nga PD-ja dhe në prag të zgjedhjeve u merrnin atyre kartat e identitetit në këmbim të një shume të caktuar parash për të mos votuar më 23 qershor. Rasti më flagrant në këtë drejtim, midis qindra e mijëra të tillëve, është ai i një të riu nga Puka, të cilit ditën e votimit i kishin i dhënë 200 mijë lekë për të mos votuar për PD-në, duke i marrë si garanci kartën e identitetit. E kësaj natyre ishte dhe skema e marrjes nga “grupet e r(r)uajtjes” së PS-së të fletës së votimit nga Qendra e Votimit, e cila ishte e vulosur dhe e bardhë; pra e papërdorur për votim dhe pasi shënohej kryqi tek “29”-a, i jepej votuesit, duke i kërkuar atij ta hidhte në kutinë e votimit këtë fletë dhe të nxirrte jashtë “të bardhë”-fletën, të cilën merrte te komisioni. Kur dorëzonte fletën e votimit që kishte marrë në Qendërn e Votimit, i jepej shuma e lekëve, ndërsa fleta e votimit plotësohej sërish dhe i jepej votuesit tjetër që të vepronte në të njëjtën mënyrë. Kjo skemë vazhdonte zinxhir tek votuesit, duke arritur të vidhen mijëra vota. Një skemë apo variant tjetër kusarie është ai i “zarfit të mbyllur”, brenda të cilit kishte 50-100 mijë lekë, e përdorur pothuajse në të gjithë vendin, për të blerë familjarisht votuesit e lëkundur; sikundër mund të përmendim në këtë kontekst edhe pagesën “e rrogave” 30 mijë lekëshe përgjatë 2-3 muajve të fundit shumë familjeve në nevojë anë e mbanë Shqipërisë.
Mund të ketë patur edhe forma të tjera kusarie, të cilat në tërësi përbëjnë një “puç elektoral” për zgjedhjet e 2013-ës, duke qenë se nuk u arrit gjë me “puçin real” të 2011-ës, për t’i marrë me çdo kusht dhe me çdo çmim pushtetin Berishës. Të gjitha këto denoncime dhe artikulime tani janë si “kofini pas të vjeli”, të paktën për strukturat e Partisë Demokratike, që kanë qenë ose në gjumë ose “për në lumë”, ku më shumë se kudo, në Shqipëri, “uji fle dhe hasmi s’fle”. Është e pafalshme për strukturat e drejtuesit kryesorë të PD-së që u ka munguar në kohë informacioni për këtë “lojë të madhe” me fatet e të ardhmes tonë, të cilat shkojnë përtej “kupës” së fitusit politik të zgjedhjeve. Kjo nuk është si kupa e fituar në “në garat me kuaj të Askotit”, të famshme në të gjithë Anglinë, nëse sjellim ndërmend një anekdotë nga jeta e shkrimtarit të famshëm Mark Tuen, që të sillesh si tifoz sporti apo hokatar. Në këta histori gazmore tregohet, se kur në Angli erdhi për vizitë shkrimtari i dëgjuar, disa njerëz i kishin vjedhur kupën prej floriri fituesit të garës me kuaj të Askotit. Për ta vënë në lojë Mark Tuenin, botuesit e një gazete të madhe, publikuan të nesërmen në faqen e parë me gërma të mëdha: “Mark Tueni arriti! Kupa Askot u vodh!” Tueni nuk e prishi terezinë kur e lexoi gazetën dhe në një takim me autoritetet letrare angleze tha me qesëndi: “Desha t’ju them së pari, zotërinj, se nuk e dija që në Angli paska njerëz që mezi prisnin sa të vija unë, që të shpallnin vjedhjen e një kupe”.
Fakti që këto lloj denoncimesh për kusari të paparë votash të djathta në zgjedhje po bëhen jo nga “të zotët e hallit”, më japin të drejtën të perifrazojë me mërzi e jo me qesëndi këtë thënie të Mark Tuenit, për të gjithë ta që “…mezi kanë pritur…” dorëheqjen e Berishës për të “…shpallur vjedhjen…” e zgjedhjeve 2013 në formën e tregimit të “anekdotave” apo historive dorë. Në këto kushte unë do ta konsideroja “të nxituar” dorëheqjen e Berishës, pa bërë më parë analiza të sakta e thelluara për çdo grup-seksioni. Mbase me ankthin e kësaj “të pabëre” të madhe i kërkohej kreut demokrat “të pranonte humbjen”, ende pa filluar mirë numërimi i votave. Nga ana tjetër, kushdo prej funksionarëve të lartë të PD-së, që e ka “nën kësulë” një “mizë” të tillë, nuk duhet ta marrë guximin për t’u bërë “udhëheqës i madh” me një anëtar një votë, pasi kam frikë se mund “të mësojë” nga pësimi e vet apo nga “fitorja” e kundërshtarit. Faktet tregojnë, se përveç të tjerash, gjithë kjo “kusari” elektorale ka ndodhur edhe nga që një pjesë e mirë e “elitës” së të zgjedhurve të PD-së e mbanin kokën lart teksa duhet të shikonin se kundërshtarët po ua fusnin “topin poshtë shalëve”. Duke qenë se “e kanë ngrënë” edhe në kohën që kanë patur aleatin-pushtet me vete, llogaritni se ç’mund të ndodh me ta në opozitë, ku kundërshtarët i “kursejnë” paratë për blerje votash, sepse u mjaftojnë palaçollëqet e tjera elektorale, siç ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Siç dihet mirë brenda e jashtë vendit, këto zgjedhje “de facto” i fitoi e djathta, kurse “de jure” i fitoi e majta duke përdorur “Dushkun” e Lushnjës dhe Gjykatën Kushtetuese të Abdiut. Kur kujtojmë se kjo ka ndodhur në një kohë që ende nuk ishin shuar flakët e revolucionit “evgjito-komunist” të ’97-ës, s’mund të ndodhte çudia 12 vite më vonë, kur Berisha nga i “kryeanatemuar” ishte shndërruar në kryeministrin më të adhuruar, për të gjithë zhvillimet mbreslënëse të vendit tonë këtë dekadën e fundit. Nëse perifrazojmë të ndjerin Pjetër Arbnori, të majtët janë “specialist” për vjedhjen, blerjen apo manipulimin e zgjedhjeve, qofshin në opozitë apo në pushtet, duke përfshirë këtu dhe ato të ’96-ës për të cilat anatemohet Berisha, ku të majtët, rreth dy dorë para mbylljes së procesit të votimit tërhoqën me urdhër komisionerët dhe procesi doli jashtë kontrolli. Këto fakte, përveç të tjerash, tregojnë se sa demagogjike dhe abuzive tingëllojnë deklaratat “rozë e mavi” se, “e majta është shumicë në Shqipëri”!? Mesa duket gjithçka bëhet për të justifikuar “shumicën me kusari apo blerje” dhe jo atë me zgjedhje të lira e të ndershme.